MEM nënshkruan Memorandum Mirëkuptimi me Odën Ekonomike të Britanisë në Kosovë dhe USAID-in

Prishtinë, 09 korrik 2010 – Ministrja e Energjisë dhe Minierave, Justina Shiroka Pula në kuadër të drekës së organizuar me rastin e vizitës së mikut të Kosovës, ish kryeministrit britanik Tony Blair ka nënshkruar një Memorandum Mirëkuptimi me Odën Ekonomike të Britanisë në Kosovë dhe USAID-in.

Memorandumi është nënshkruar nga Ministrja e Pula dhe Kryeshefi  i Odës Ekonomike Britaneze në Kosovë, Ray Powers, i cili parasheh mbështetjen e MEM-it me ekspertë të fushës së energjisë dhe minierave.

Ministrja Pula është shprehur e kënaqur që nënshkrimi i këtij memorandum përkon me vizitën e mikut të Kosovës, Tony Blair në Prishtinë duke vlerësuar si shumë të rëndësishëm marrëveshjen me Odën Ekonomike të një vendi mik.

“Ne sot nënshkruam një Memorandum të Bashkëpunimit ndërmjet Odës Ekonomike Britaneze dhe USAID, e cila do të na mundëson tërheqjen e investitorëve të përfaqësuara nga Oda Ekonomike Britaneze dhe USAID dhe po ashtu do të shërbej si urë lidhëse ndërmjet nesh”, tha ministrja Pula.

Ajo tha se MEM do të bëjë një përpjekje për të bashkërenduar për të përcaktuar përparësitë dhe për të ndihmuar në lehtësimin e investimeve në sektorin e energjisë solare dhe sektorin minerar.

Memorandumi i Mirëkuptimit i nënshkruar nga  MEM, Ora Ekonomike Britaneze në Kosovë dhe USAID parasheh që OEBK t’i siguroj dy konsultat:
a.Konsultat i cili krijon Atlasin Solar dhe hartën me vendet më të përshtatshme për të ndërtuar fushat solare dhe;
b.Konsultat për fushën e minierave i cili do të asistoj MEM-in në prodhimin e një strategjie investimi në sektorin minerar.

Ndërkaq, MEM  obligohet që t’i bëjë të gjitha përpjekjet për realizimin e pikave të nënshkruara dhe tu jap prioritet promovimit të investimeve Solare dhe Minerare.