MEM kërkon ndalimin e ndërhyrjes së EMS-it serb në sistemin energjetik të Kosovës

Prishtinë, 22 tetor 2010- Ministria e Energjisë dhe Minierave (MEM) ka ftuar në një takim akterët e kryesorë të sektorit energjetik të vendit, MEF-in, KOST-in KEK-un dhe ZRRE-në për të diskutuar problemin serioz që po shkakton ndërhyrja e  operatorit serb të transmisionit (EMS) në sistemin energjetik të Republikës së Kosovës.

Në këtë takim që drejtohej nga Ministrja e Energjisë dhe Minierave, Justina Shiroka – Pula, të pranishëm ishin, kryetari i Bordit të Drejtorëve të KEK-ut, Fadil Çitaku, drejtori i Operatorit të Sistemit të Transmisionit të Kosovës (KOSTT) – Fadil Ismaili, drejtori i Korporatës Energjetikë të Kosovës (KEK) – Arben Gjukaj,  kryesues I Bordit te Rregullatorit Energjisë – Ali Hamiti, drejtuesi i Njësisë për Ndërmarrjet Publike, Ramadan Sejdiu.

Me këtë rast janë diskutuar problemet me të cilat po ballafaqohen KOSTT dhe KEK  në veri të vendit për shkak të ndërhyrjes së operatorit serb dhe mungesës së qasjes në stabilimentet elektrike të kompanive legale të Kosovës.
Pjesëmarrësit në këtë takim kanë vlerësuar se ndërhyrjet e operatorit të Serbisë shkaktojnë probleme serioze KOSTT-it në operim, mirëmbajtje dhe furnizim të sigurt me energji elektrike të Sistemit Energjetik të Kosovës.

Me këtë rast, Ministra Pula ka theksuar se MEM me mbështetjen e të gjitha institucioneve do të shfrytëzojë të gjitha mundësitë institucionale për të gjetur një zgjidhje për  këtë problem.

Ministrja ka njoftuar se një ditë më parë, MEM u ka dërguar një shkresë zyrtare të gjitha institucioneve vendore dhe ndërkombëtare, politike dhe të sigurisë, të cilët i ka njoftuar me gjendjen aktuale dhe njëherit ka kërkuar ndërhyrjen e tyre për të mënjanuar veprimet e paligjshme te operatorit serb në sistemin energjetik të vendit.