MEM inauguroi instalimin e poçeve efiçientë në Prishtinë
Prishtinë, 26 nëntor 2010 – Ministria Energjisë dhe Minierave (MEM) së bashku me Komunën e Prishtinës dhe GTZ–në, inauguruan sot projektin ‘’Zbatimi i masave të efiçiencës së energjisë në institucionet publike”, respektivisht instalimin e poçeve efiçientë në Prishtinë.
Inaugurimi i instalimit të poçeve efiçientë në Sheshin Nëna Tereze në Prishtinë u bë nga ministrja e Energjisë dhe Minierave, Justina Shiroka – Pula, Drejtori i Shërbimeve Publike të KK të Prishtinës, Agim Gashi dhe përfaqësuesja e GTZ-së, Gabriele Becker.
Me këtë rast Ministrja e Energjisë dhe Minierave, Justina Shiroka- Pula tha se ky projekt i përbashkët i MEM-it Komunës dhe GTZ-së, përveç që promovon rritjen e efiçiencës së energjisë, shpie ka përmbushja e obligimeve që dalin nga Bashkimi Evropian.
Ajo ka bërë të ditur se vlera e tërë projektit është 148 mijë euro që do të jetë bashkëfinancim i Ministrisë, komunave përkatëse ku zhvillohet projekti dhe GTZ-së, ndërsa masa e kursimit të energjisë me aplikimin e kësaj mase të eficiencës është rreth 30% krahasuar me ndriçimin e zakonshëm.
Ndërsa, Drejtori i Shërbimeve Publike të KK të Prishtinës, Agim Gashi tha se kjo komunë synon që së shpejti të ndërrojë rreth 90% të poçeve të sistemit të ndriçimit publik me qëllim të kursimit të energjisë.
Nga ana saj, përfaqësuesja e GTZ-së, Gabriele Becker ka bërë të ditur se ky ndriçim është efiçientë dhe i sigurt dhe komunat që investojnë në këtë projekt kursejnë një shumë të konsiderueshme të buxhetit.
Ndryshe kostoja e projektit ’Zbatimi i masave të efiçiencës së energjisë në institucionet publike”, respektivisht instalimin i poçeve efiçientë në Prishtinë është 48.440 euro nga të cilat, MEM ka investuar 23.440, Komuna e Prishtinës 15.0000 euro dhe
GTZ, 10.000 euro.

