MEM fton investitorët të investojnë në hidropotencialet e Kosovës

Prishtinë, 19 nëntor 2010 – Ministria e Energjisë dhe Minierave (MEM) në bashkëpunim me Odën Ekonomike të Kosovës ka organizuar sot në Prishtinë konferencën promovuese “Mundësitë për investime private në ndërtimin e hidrocentraleve të vogla në Republikën e Kosovës”, ku është diskutuar për investimet private në hidropotencialet e Kosovës, me qëllim të prodhimit të energjisë elektrike të pastër dhe zhvillimit ekonomik.

Të pranishëm në këtë konferencë, përveç drejtuesve të MEM-it, OEK-ut dhe investitorëve potencialë, të pranishëm ishin edhe përfaqësues të Bankës Botërore, USAID-it, GTZ-së, Odës Ekonomike të Britanisë në Kosovës, Zyrës së Komisonit Evropian, Zyrës së Rregullatorit të Energjisë etj.

Ministrja e Energjisë dhe Minierave, Justina Shiroka – Pula ka thënë se Kosova si anëtare e Komunitetit te Energjisë, është e angazhuar që t’i zhvilloje të gjitha ato burime të ripërtërishme që janë ekonomikisht të mundshme për ti shfrytëzuar.

“Për këtë, MEM ka përgatitur politikat dhe strategjinë energjetike që kane si objektiv të rëndësishëm edhe zhvillimin e hidropotencialeve. Politikat tona për burimet e ripërterishme, përfshirë hidropotencialet e vogla bazohen në praktikat më të mira Evropiane. Ato sigurojnë inciativat e domosdoshme për të mundësuar investimet private për zhvillimin e këtyre burimeve”, tha ministrja Pula.

Sipas saj, politika e Qeverisë për burimet e ripërtërishme është konkretizuar në:
Caktimin nga MEM të caqeve për këto burime, ku parashihen edhe kufijtë për gjenerimin e energjisë elektrike nga hidropotencialet.

Obligimin që KEK sh.a. të blejë energjinë elektrike të prodhuar nga hidrocentralet e vogla, me çmime nxitëse të caktuara nga ZRrE, në kuadër të marrëveshjeve afatgjata të shitblerjes se energjisë elektrike të rinovueshme.

Ndërkaq, Safet Gerxhaliu, kryetar i OEK-ut tha se me aplikimin e energjisë së ripërterishme arrihen tri efekte: E para zhvillimi ekonomik, rritja e sigurisë së furnizimit  dhe ruajtja nga ndotja e ambientit, që njëkohësisht janë edhe kritere të  BE-së.

“Ne vlerësojmë gatishmërinë për investime në burime të ripërterishme dhe do të angazhohemi të përmirësojmë imazhin e Kosovës në mënyrë që investitorët të ndihen të sigurt në investimet e veta që bëjnë në Kosovë”, tha ai.

Sipas Gëxhaliut, paraqitja e parafizibilitetit në këtë takim inkurajon investitorët e brendshëm dhe ata të jashtëm, ndërsa nga këto investime në burime të ripërterishme respektivisht hidrocentrale të vogla Kosova kursen 34 milionë euro.

Më pas zv.ministri i Energjisë dhe Minierave, Blerim Rexha në prezantimin e tij në këtë konferencë ka paraqitur potencialt hidrike të Kosovës dhe ka theksuar se janë identifikuar 77 HCV me total 128MË dhe 621 GWh/vit.

Rexha tha se ekziston studimi i parafizibilitetit dhe MEF ka hapur shprehjen e interesit për 8 lumenj me mundësi për ndërtim e 11 HCV me energji totale rreth 58 GWh, me kapacitet të instaluar prej 25 MË, për të cilat kanë aplikuar 15 kompani.

Nga ana e tij, Ali Hamiti drejtor Zyrës së Rregullatorit ka njoftuar investitorët me mundësitë dhe procedurat e nevojshme për investime në hidrocentrale.