MEM dhe Zyra e KE-së prezantuan projektin për auditimin energjetik

Prishtinë, 2 korrik 2010 – Ministria e Energjisë dhe Minierave së bashku me Zyrën Ndërlidhëse të Komisionit Evropian në Prishtinë,  kanë prezantuar sot projektin e përbashkët për Auditimin Energjetik.

Projekti ka për qëllim përgatitjen e auditorëve në fushën e energjisë dhe në kuadër këtij janë aftësuar 28 auditorë të energjisë të cilët janë trajnuar dhe certifikuar.

Ata kanë prezantuar rezultatet e auditimeve energjetike të kryera në 12 ndërtesa publike dhe katër fabrika.

Me këtë rast ministrja e Energjisë dhe Minierave, Justina Shiroka – Pula  tha se përgatitja e auditorëve energjetikë është edhe pjesë e strategjisë energjetike dhe obligimeve që Kosova ka përballë Traktatit të Komunitetit  të Energjisë TKE.

“Arritjet e caqeve të caktuara për rritjen e efiçiencës kërkojnë jo vetëm investime por njohjen e mundësive se ku mund të kursehet energjia. Këtë e mundëson auditimi energjetik dhe për përgatitjen e auditorëve të ardhshëm MEM ka bashkëpunuar me Zyrën Ndërlidhëse të KE-së, për të cilin projekt i jemi falënderues“, ka thënë ministrja Pula.

Ajo më tej ka shtuar se auditimi i energjisë do të bëhet obligativ për ndërtesat publike  duke përkujtuar se rekomandimet nga auditori do të rezultojnë me kurismin e parasë publike, zvogëlim të nevojës për import të energjisë si dhe do të nxisë vetëdijesimin e kursimit të energjisë.

Nga ana tjetër Përfaqësuesi i Zyrës së Komisionit Evropian në Kosovë, Kjartan Bjornsson, tha se duke e përmirësuar efiçiencën e energjisë në Kosovë, faturat e energjisë mund të jenë më të lira dhe shpenzime e mirëmbajtjes do të jenë më të ulëta.

Sipas tij auditimet e energjisë, në bazë të legjislacionit ekzistues të Kosovës duhet të realizohen periodikisht në të gjitha ndërtesat ekzistuese për ta vlerësuar performancën energjetike dhe potencialin për kursimin e energjisë.

Kursimi i energjisë sjell dobi të shumta, sikurse që janë ulja e varësisë nga importi dhe ndikimi në klimë, shtimin e vendeve të punës dhe nxitjen e zhvillimit ekonomik.