Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Gruas ME shënon ngjarjen “Një Kosovë ku profesioni nuk njeh gjini”
Prishtinë, 11.03.2024 – Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Gruas, Ministria e Ekonomisë (ME) në bashkë-organizim me Kompaninë Kosovare për Distribuim të Energjisë Elektrike në Kosovë SH.A. (KEDS), Operatorin e Sistemit, Transmisionit dhe Tregut ( KOSTT) dhe Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK) ka mbajtur ngjarjen me moton “Një Kosovë ku profesioni nuk njeh gjini”.
Qëllimi i organizimit të kësaj ngjarjeje ishte fuqizimi i gruas në zhvillimin dhe motivimin nga histori suksesi të grave liderë të cilat operojnë në fushat që mbulon ME, siç janë energjia, Teknologjia e Informacionit dhe Komunikimeve (TIK), minierat e ndërmarrjet publike.
Kjo u mundësia përmes fjalimeve motivuese dhe inspiruese për ngritjen dhe sfidat e tyre në karrierë, fillimisht nga Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, e cila ka mbajtur një fjalë përshëndetëse më pas nga folëset: Burbuqe Hana, Kryeshefe e Telekomit të Kosovës, Elida Qelaj, përfituese e trajnimeve të TIK-ut nga projekti KODE i udhëhequr nga ME si dhe Fjolla Fazliu, përfituese e Programit të bursave “Women in Energy” njëkohësisht Këshilltare e Ministres Rizvanolli.
Ministrja Rizvanolli, foli për rritjen e pjesëmarrjes së grave në pozita vendimmarrëse, ku vlerësoi se është shënuar progres në vitet e fundit, kryesisht në profesionet e inxhinierisë, ku pjesëmarrja e gruas ka qenë më e vogël, por theksoi se ende duhet punuar që të fuqizohet zëri i gruas.
Në hyrje të fjalës së saj, Ministrja Rizvanolli tha se gratë nuk e kanë një ditë për barazi as nuk e kanë një ditë për punë për të qenë të përfaqësuar për të bërë punën tyre, por çdo ditë është e grave, po aq sa është edhe burrave. “Kjo nuk është një ditë që duhet të festojmë, pasi që ka shumë për të bërë për të arritur një barazi të vërtet jo vetëm në Kosovë, por edhe globalisht”, tha ajo.
Mirëpo përkundër kësaj mendoj që është mirë kohë pas kohe te gjithë ne, në rolin tonë që e kemi si në rolin institucional e profesional, veçanërisht për gratë që janë lidere në fushat e tyre në organizatat ku ato punojnë pavarësisht punës që bëjmë të reflektojmë për atë se ku kemi arritur në kuptim të barazisë gjinore dhe çfarë kemi për të bërë përpara, shtoi Ministrja Rizvanolli.
Gjatë fjalës së saj Rizvanolli përmendi të arriturat që Kosova ka bërë duke thënë se jemi një vend që mund të krahasohemi edhe me vendet me të zhvilluara duke parë progresin që është bërë në përfaqësim të grave krahasuar me 10 vitet e fundit, shtuar faktin që përfaqësimi i grave në kuvend që aktualisht është 40 % , e këtë më së miri e dëshmon fakti që Kosova për herë të dytë e ka një grua presidente si dhe Kabineti qeveritar përfaqësohet me 1/3 nga gratë.
Ministrja Rizvanolli theksoi se përderisa ka ende shumë punë për t’u bërë për të rritur përqindjen e grave në institucione e ndërmarrje publike, veçanërisht në pozita udhëheqëse, në bordet e ndërmarrjeve publike 40% e anëtarëve të emëruar janë gra. Kjo përqindje ka qenë rreth 10% në vitin 2017.
Ajo po ashtu tha se nëse shohim fushat që mbulon ME, e që janë fusha që tradicionalisht të dominuara nga burrat edhe globalisht jo vetëm në Kosovë, mund të thuhet se tani mund të jemi krenarë duke u nisur nga fakti se në bordet e ndërmarrjeve publike, nga viti 2021 kemi arritur të mbajmë një përqindje prej minimum 40 % krahasuar me vitin 2017 ku sipas një studimi të Institutit për Studime të Avancuara (GAP) në atë kohë pjesëmarrja e grave në borde ka qenë 10%. E tërë kjo është arritur jo domosdoshmërish duke ndryshuar ligjet, por duke treguar se kur vullneti vjen nga lart sigurisht me një përpjekje shtesë për ti tërhequr gratë për të aplikuar dhe me përzgjedhjen e grave në kushte të barabarta.
Kjo shkon përtej ndërmarrjeve publike nëse i shohim bordet e institucioneve të ndryshme për si Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRrE), ku historikisht nga të gjitha bordet ndër vite kanë qenë vetëm 2 gra ndërsa aktualisht nga 5 anëtarë që i ka bordi i ZRRE-së, 2 janë gra. Shembuj të tillë kemi gjithandej, madje ka institucione të themeluara nga kuvendi ku të gjitha ose mbi 50 % janë gra, përfundoi ministrja Rizvanolli.
Gjatë ngjarjes është mbajtur edhe paneli i diskutimeve me temë “Gratë në ndërmarrjet e energjisë”, ku panelistet ishin: Emine Gllareva, Inxhiniere e Elektronikës në KEK, Resmije Ahma, këshilltare e kryeshefit ekzekutiv në KOSTT, Valbona Kadrijaj, drejtoreshë e Cilësisë, Sigurisë dhe Trajnimeve në KEDS, Rudina Heroi – Puka, drejtoreshë e Departamentit për Shërbime ndaj Konsumatorit, Tarifa dhe Çështje Regullative në KESCO, Lutfije Dervishi, anëtare e Bordit të ZRRE-së si dhe Besiana Qorraj, u.d. udhëheqëse e Divizionit për Mbështetje Administrative të Projekteve të Burimeve të Ripërtëritshme të Energjisë në Ministrinë e Energjisë.
Të pranishme në këtë ngjarje kanë qenë qindra gra të profesioneve të ndryshme që historikisht janë të dominuara nga burrat.