ME po dizajnon skemë të re mbështetëse për bizneset prodhuese

Prishtinë, 19.05.2025- Sekretariati i Këshillit Kombëtar për Ekonomi dhe Investime ka organizuar Forumin me temë; “Liberalizimi i tregut të energjisë elektrike: efektet dhe masat lehtësuese”, ku pjesëmarrës ishin Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, Zëvendëskryeministri në detyrë, Besnik Bislimi, Ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, Ministrja në detyrë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, prodhues, përfaqësues të bizneseve, përfaqësues të Odave Ekonomike dhe përfaqësues të Këshillit Kombëtar për Ekonomi dhe Investime.

Me këtë rast, kryeministri siguroi që Qeveria e Republikës së Kosovës do të qëndrojë pranë prodhuesve vendor për të dëgjuar brengat kryesore dhe nevojat e tyre për përkrahje lidhur me procesin e liberalizimit të tregut.

“Qëllimi ynë i përbashkët është i qartë: të sigurojmë një kalim të menaxhueshëm dhe të drejtë drejt tregut të lirë, ku askush nuk mbetet pas dhe ku konkurrenca dhe investimet nxisin zhvillim. Si Qeveri, do të qëndrojmë gjithmonë pranë prodhuesve tonë dhe do të sigurojmë që edhe ky proces të shoqërohet me masa konkrete mbështetëse, në mënyrë që prodhuesit vendorë të mos mbeten të pambrojtur dhe të mund të vazhdojnë rritjen, zhvillimin dhe gjithashtu depërtimin gjithnjë e më të madh përmes eksportit në tregje të jashtme të prodhimeve tona”, u shpreh kryeministri Kurti.

Ai përmendi hapat konkretë të ndërmarrë për tejkalimin e kësaj sfide, duke përfshirë: dizajnimin e skemave grantesh për efiçiencë të energjisë dhe burime të ripërtërishme, për të ulur konsumin e energjisë elektrike, me mbështetje konkrete e që do të rritet me rishikimin e buxhetit; hapjen e thirrjeve publike përmes KIESA-s për subvencionimin e Ndërmarrjeve Mikro, të Vogla dhe të Mesme për blerjen e makinerive prodhuese dhe përpunuese, me një buxhet të planifikuar prej 5 milionë eurosh, si dhe mbështetjen për të bërë auditime energjetike, që të bëhet ulja e konsumit dhe kostove të energjisë elektrike.

Ndër të tjera, kryeministri Kurti veçoi edhe përkrahjet e tjera gjatë katër viteve të qeverisjes, sikurse rritja e kapitalit të lirë, tregjeve të reja, infrastrukturën moderne, fuqinë punëtore të kualifikuar dhe motivuar, si dhe lehtësimin e barrës administrative.

Ndërsa, ministrja Rizvanolli tha se Ministria e Ekonomisë është në fazën e përfundimit të një skeme të re mbështetëse për bizneset prodhuese;

“Aktualisht jemi duke e përfunduar një skemë të re mbështetëse për bizneset prodhuese me përkrahjen e LuxDev Development (Agjencia për Bashkëpunim Zhvillimor të Luksemburgut). Brenda kësaj skeme do të përkrahim:

  • eficiencën e energjisë përmes investimeve në izolim të ndërtesave,
  • sisteme solare fotovoltaike (FV, për prodhim të energjisë elektrike),
  • sisteme solare termike (për ngrohje të ujit) bateri për sisteme solare FV, si dhe
  • pajisje si rregullatorët e fuqisë reaktive për të rritur eficiencën e pajisjeve që prodhuesit tashmë i kanë në përdorim”, përfundoi ajo.