ME dhe ITP nënshkruajnë Marrëveshjen për ndërtimin dhe krijimin e Qendrës së Ekselencës Digjitale
Prishtinë, 15.05.2024 – Ushtruesja e detyrës së Sekretares së Përgjithshme të Ministrisë së Ekonomisë (ME), Leonita Shabani – Mullarama dhe përfaqësuesi i Parkut të Inovacionit dhe Trajnimit në Prizren (ITP), Muhamed Rexhepi, kanë nënshkruan Marrëveshjen për ndërtimin dhe krijimin e Qendrës së Ekselencës Digjitale (QED).
Kjo qendër do të jetë pjesë integrale e Parkut Inovativ dhe Trajnimeve në Prizren, që do të funksionojë si “qendër e ideve” (idea hub), ku do të vihen në dispozicion shërbimet e mentorimit dhe ku idetë e vlefshme dhe praktike në mënyrë aktive do të kthehen dhe shndërrohen në biznese.
Qendra do të shërbejë si ekosistem qendror për Republikën e Kosovës, por edhe të rajonit, të cilat përkrahin idetë e reja dhe kreative. Qendra gjithashtu do të ndërlidhet me universitetet, kolegjet dhe me shkollat profesionale, parqet teknologjike, institutet dhe qendrat tjera për hulumtim dhe zhvillim dhe me sektorin e bizneseve private dhe publike.
Duke marrë parasysh mandatin e Ministrisë së Ekonomisë, për krijim të ambientit mundësues për zhvillim të Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit – TIK dhe të Inovacionit në TIK, QED do të fokusohet fillimisht në studime, hulumtime dhe zhvillime duke u bazuar në trendët më të reja të TIK-ut si:
- 5G dhe 6G, gjenerata e ardhshme e teknologjive mobile që pritet të revolucionarizojë shumë aspekte industriale dhe zhvillimore;
- IoT (Internet of Things) Interneti i gjërave, sistem i ndërlidhur i pajisjeve kompjuterike, pajisjeve mekanike dhe atyre dixhitale etj., që bënë të mundshëm bartjen e të dhënave nëpërmjet rrjetave, pa pas nevojë për interacione në mes të njerëzve apo në mes të njerëzve dhe pajisjeve kompjuterike.
- 3D printimi;
- Blockchain teknologjitë dhe përdorimi i tyre në fusha të ndryshme.
Po ashtu, QED gjithashtu që nga fillimi do të ndërlidh sektorin e TIK-ut me sektorin e Energjisë nga aspekti i shfrytëzimit të TIK-ut, për të avancuar proceset e ndryshme të gjenerimit, bartjes dhe shfrytëzimit të Energjisë duke u bazuar në teknologjitë më të reja.