MCC do të financojë projekte në fushën e efiçiencës së energjisë

Prishtinë, 19.09.2017 – Përfaqësuesit e Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC), udhëheqja e ekipit për Kosovë, Sarah Olmstead dhe koordinatori nacional, Petrit Selimi kanë konfirmuar se një pjesë e fondit të ndarë për Kosovën do të financohet në projektet në fushën e efiçiencës së energjisë.

Kjo u bë e ditur gjatë takimit që Ministri i Zhvillimit Ekonomik pati me Përfaqësuesit e Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit, ku u diskutua për shfrytëzimin sa më optimal të këtij fondi të dedikuar për zhvillimin e sektorëve të caktuar.

Ministri Lluka ka falënderuar SHBA-të për mbështetjen që po i japin Kosovës duke financuar projekte konkrete përmes MCC, ndërsa shtoi se MZHE me tërë kapacitetet e saj do të ndihmojë në realizimin me sukses të këtyre projekteve.

Në kuadër të MCC në tri vjetët e ardhshme në Kosovë do të investohen 49 milionë dollarë, në fusha shumë të rëndësishme për ekonominë e vendit.