Mbyllet Thirrja Publike për aplikim për subvencionin për Pajisje Efiçiente për Ngrohje
Mbyllet Thirrja Publike për aplikim për subvencionin për Pajisje Efiçiente për Ngrohje
Prishtinë, 05.10.2024 – Ministria e Ekonomisë (ME) njofton qytetarët e Republikës së Kosovës se aplikimi për Thirrjen Publike për Mbështetje të Konsumatorëve Familjarë për Investimin në Pajisje Efiçiente për Ngrohje sapo u mbyll.
Mbyllja e parakohshme, është rezultat i pranimit të një numri të mjaftueshëm të aplikimeve për shumën e caktuar për këtë thirrje.
Deri në mbylljen e thirrjes gjithsej kanë aplikuar 13406 qytetarë.
Pajisjet që do të subvencionohen përfshijnë:
• Pompë Termike: 30% e vlerës investive, deri në 2000.00 €
• Kondicioner/Klimë efiçiente: 40% e vlerës investive, deri në 400.00 €; për prindërit vetushqyes dhe ata në ndihmë sociale (kategoria I & II), 60% e vlerës investive, deri në 550.00 €
• Kalda me Biomasë (dru, pelet dhe briket): 70% e vlerës investive, deri në 1200.00 €
• Stufa Individuale: 70% e vlerës investive, deri në 435.00 €; për prindërit vetushqyes dhe qytetarët në ndihmë sociale, 90% e vlerës investive, deri në 560.00 €.
Komisionet për vlerësimin e aplikacioneve kanë filluar punën e tyre të procesit të verifikimit të aplikacioneve dhe dokumentacionit të nevojshëm. Të gjithë ata që kanë aplikuar do të njoftohen për ecurinë e procesit përmes mjeteve të informimit dhe rrjeteve sociale të Ministrisë së Ekonomisë.
Thirrja Publike për Mbështetje të Konsumatorëve Familjarë ka qenë e hapur nga data 12 shtator 2024 dhe ishte planifikuar të përfundojë më 11 tetor 2024.
Subvencionimi i efiçiencës së energjisë mbështetet nga Bashkimi Evropian dhe zbatohet nga Ministria e Ekonomisë.