Mbyllen strukturat ilegale në Zubin Potok e Mitrovicën e Veriut, merren në kontroll nga KRU “Mitrovica”
Prishtinë, 15.05.2025 – Me kërkesë të Njësisë për Monitorimin e Ndërmarrjeve Publike (NjMNP) të Ministrisë së Ekonomisë (ME) është ndërprerë veprimtaria ilegale e strukturave paralele në Fabrikën e ujit në Zubin Potok, si dhe në kompaninë paralele të ujësjellësit “Ibar” në Mitrovicën e Veriut.
Të dyja tashmë kanë kaluar në menaxhimin e KRU “Mitrovica”, e cila do të sigurojë që ky sistem të funksionojë sipas standardeve ligjore dhe teknike të Republikës së Kosovës.
Fabrika e ujit në Zubin Potok është aset i rëndësishëm për furnizim të sigurt me ujë për mijëra qytetarë të Republikës së Kosovës në komunat veriore, dhe, marrja nën kontroll e këtij aseti është çështje e sigurisë, shëndetit publik dhe e shtrirjes së kontrollit institucional.
Ndërsa me mbylljen e kompanisë paralele të ujësjellësit “Ibar” dhe fabrikës së ujit në Zubin Potok, në përputhje me marrëveshjen e nënshkruar në janar të këtij viti mes KRU “Mitrovicës”, Komunës së Mitrovicës së Veriut dhe Komunës së Zubin Potokut, shërbimet e rregullta e më cilësore për qytetarët e kësaj komune do të ofrohen nga KRU Mitrovica, me standarde më të larta dhe në përputhje të plotë me ligjet tona.
Aksionet janë zhvilluar në bashkëpunim me Policinë e Kosovës.