Mbahet trajnimi për anëtarët e bordeve të ndërmarrjeve publike “Qeverisja korporative dhe menaxhimi i rrezikut fiskal”

Prishtinë, 08.12.2025 – Është mbajtur sesioni trajnues dyditor për anëtarët e bordeve të ndërmarrjeve publike, të fokusuara në temën “Qeverisja korporative dhe menaxhimi i rrezikut fiskal”.

Trajnimi u organizua nga Ministria e Ekonomisë (ME), në bashkëpunim me Ministrinë e Financave, Punës dhe Transfereve (MFPT) dhe me mbështetjen e IFC dhe FMN. Ky bashkëpunim i gjerë reflekton angazhimin e institucioneve vendore dhe partnerëve ndërkombëtarë për të ngritur standardet e udhëheqjes dhe përgjegjshmërisë në ndërmarrjet publike.

Gjatë sesioneve trajnuese, u vlerësua se qeverisja korporative është më shumë sesa një set rregullash, ajo është mënyra se si ndërmarrjet marrin vendime, si mbrohen interesat e aksionarit publik dhe si sigurohet që operimi i tyre të jetë transparent, i matur dhe i bazuar në përgjegjësi. Në këtë proces, bordet kanë rol kyç, kur ato funksionojnë si duhet, rrisin stabilitetin, parandalojnë vendimet e gabuara dhe shndërrojnë resurset publike në vlerë të prekshme për qytetarët.

Në të njëjtën kohë, rreziku fiskal kërkon përgjegjësi dhe vëmendje të vazhdueshme. Identifikimi dhe vlerësimi i rreziqeve, si dhe ndërtimi i mekanizmave mbrojtës, janë detyra themelore për çdo bord që synon stabilitet afatgjatë. Këto procese ndikojnë jo vetëm në performancën financiare të ndërmarrjes, por edhe në shëndetin fiskal të shtetit. Prandaj, profesionistët që drejtojnë ndërmarrjet publike duhet të posedojnë qartësi konceptuale dhe aftësi praktike për të marrë vendime të informuara.

Trajnimi dyditor u ofroi pjesëmarrësve mundësi për reflektim, shkëmbim përvojash dhe përditësim të njohurive mbi standardet bashkëkohore të qeverisjes dhe menaxhimit financiar. Ky proces është thelbësor për një sektor publik që synon rezultate të qëndrueshme dhe funksionim efikas.

Ministria e Ekonomisë falënderon të gjithë pjesëmarrësit dhe partnerët për angazhimin dhe kontributin e tyre në këto dy ditë pune. Ky është drejtimi i duhur për forcimin e ndërmarrjeve publike dhe ndërtimin e politikave që mbështeten në profesionalizëm, integritet dhe transparencë.