Mbahet takimi për Koordinim të Donatorëve të Energjisë
Prishtinë, 06.12.2021 – Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli së bashku me përfaqësues të Kabinetit të saj, përfaqësues të Departamentit të Energjisë të Ministrisë së Ekonomisë si dhe të grupit punues për hartimin e Strategjisë së Energjisë 2022 – 2031, janë takuar me donatorët e fushës së energjisë në Kosovë.
Në këtë takim janë prezantuar projekte të fushës së energjisë në Kosovë të cilat janë në implementim e sipër ose janë planifikuar të fillojnë në të ardhmen e afërt.
Këto projekte shtrihen në fushat e burimeve të energjisë së ripërtëritshme, miksit të energjisë, politikave të energjisë, mbrojtjes së mjedisit, ngrohjes qendrore si dhe efiçiencës së energjisë.
Qëllimi i këtij takimi ka qenë koordinimi sa më i mirë i akterëve relevantë për investime në sektor të energjisë si dhe mirë-informimi i Strategjisë së Energjisë me zhvillimet e fundit nga ana e donatorëve.
Gjatë takimit, Ministrja Rizvanolli ka ndarë me donatorët vizionin për Strategjinë e Energjisë kurse eksperti i jashtëm i cili është duke e udhëhequr punën për hartimin e strategjisë, Laszlo Szabo ka prezantuar metodologjinë dhe procesin e punës së Strategjisë së Energjisë.