Mbahet takimi i radhës për hartimin e Planit Kombëtar për Energji dhe Klimë

Prishtinë, 26.04.2019 – Në kuadër të angazhimeve për hartimin e Planit Kombëtar për Energji dhe Klimë (PKEK) 2021-2030, është mbajtur takimi i përbashkët i Grupeve Tematike për dimensionin e Sigurisë së Furnizimit dhe Tregut të Energjisë.

Ky plan bazohet në Rekomandimin e Këshillit Ministror të Komunitetit të Energjisë të miratuar në janar të vitit 2018 dhe bazohet në 5 dimensione: Siguria e Energjisë, Tregu i Brendshëm i Energjisë, Efiçienca e Energjisë, Dekarbonizimi, Hulumtimi, Inovacioni dhe Konkurrenca.

Në këtë takim morën pjesë anëtarët e dy Grupeve Tematike të përbëra me përfaqësuese nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik, ZRRE, KEK, KOSTT, OEK dhe përfaqësues nga shoqëria civile.

Gjatë takimit kryesuesit e Grupeve Tematike  z. Sabit Gashi dhe z. Skender Xani, paraqitën strukturën e përmbajtjes së këtyre dy dimensioneve bazuar në kërkesat e Rregullores së Qeverisjes së Unionit të Energjisë 2018/1999.

Nga ky takim për Grupet Tematike dolën këto rekomandime:
•    Të hartojnë tekstin për Kapitullin 4 për dimensionin e Sigurisë së Furnizimit dhe Tregut të Energjisë;
•    Të identifikohen caqet për këto dy dimensione bazuar në Shtojcën 1 të Rregullores së Qeverisjes së Unionit të Energjisë 2018/1999.

Sipas dinamikës së planifikuar nga Sekretariati i Komunitetit të Energjisë, planet për energji dhe klimë duhet të draftohen dhe miratohen deri në fund të vitit 2020 nga secila palë kontraktuese, ndërsa drafti i parë i punës i PKEK 2021-2030 planifikohet të hartohet nga Grupi Punues deri në fund të vitit 2019.