Mbahet takimi i Komitetit Drejtues të Projektit “Mbështetja e BE-së për konkurrueshmërinë e sektorit të TIK-ut në Kosovë”

Prishtinë, 27.08.2025 – Është mbajtur takimi përfundimtar i Komitetit Drejtues të Projektit “Mbështetja e BE-së për konkurrueshmërinë e sektorit të TIK-ut në Kosovë” (EU support for competitiveness of Kosovo’s ICT Sector), ku janë shqyrtuar arritjet përfundimtare, qëndrueshmëria dhe është dorëzuar draft-raporti final i aktiviteteve në Ministrinë e Ekonomisë (ME), e cila është përfituese e projektit.

Ministria e Ekonomisë për veç që është përfituese e projektit, e ka përpiluar projektin, ka organizuar tërë procesin, ka përgatitur korrikulat, programin dhe modulin.

Gjatë zbatimit të këtij  projekti është fuqizuar sektori i TIK-ut përmes trajnimeve të avancuara në programim, analizën e të dhënave dhe AI, duke mbështetur inovacionin, zhvillimin e aftësive dhe transformimin digjital.

Kjo nismë e financuar nga BE-ja, konsiderohet si bazë solide për të ardhmen digjitale të Kosovës, përkrahjen e punësimit, inovacionit dhe zhvillimit ekonomik.

Objektivë  e këtij  projekti ka qenë ngritja e konkurueshmërise së bizneseve digjitale të Kosovës, duke mbështetur ngritjen e sektorit të TIK-ut dhe krijimin e vendeve te reja te punës, e cila është  në linjë me trendet globale dhe ka reflektuar në  realizimin e strategjisë së IT-se, ku Qeveria e Republikës së Kosovës e ka identifikuar si sektor me prioritet në zhvillimin ekonomik.

Fokusi i këtij  projekti  ka qene aftësimi i të rinjve me shkathtësi digjitale të nevojshme për Tregun e punës, dhe si  synim ka pasur:

  • Ngritjen e  aftësive teknike në fushën e TIK-ut, duke u bazuar në kërkesat reale të tregut të punës dhe duke qenë fleksibël ndaj teknologjive dhe metodologjive të reja që zhvillohen;
  • Ofrimin e një paketë të re për aftësim  në sektorin e TIK-ut në Kosovë;
  • Përmirësimin e aftësive të biznesit, marketingut dhe sipërmarrësve në këtë sektor;
  • Mbështetje të vazhdueshme për bizneset e TIK-ut në Kosovë, duke ju mundësuar atyre  zgjerimin e produkteve dhe shërbimeve të tyre si dhe promovimin e tyre jashtë vendit.