Mbahet sesioni informues me biznese për Skemën e Granteve për Energji të Pastër

Prishtinë, 10.10.2025 – Është mbajtur sesioni i parë informues me bizneset rreth Skemës së Granteve për Energji të Pastër, me ç’rast u njoftua se sot është hapur aplikimi në e-Kosova.

Bizneset u informuan se mbështetja do të jetë në vlerë deri në 25 mijë euro për biznes, ndërsa projekti është financuar nga Qeveria e Dukatit të Madhe të Luksemburgut e zbatuar nga KIESA/MINT, në partneritet me Ministrinë e Ekonomisë (ME) dhe LuxDev, Agjencia e Luksemburgut për Bashkëpunim Zhvillimor.

Gjatë këtij sesioni, Zef Dedaj, ushtrues detyre i drejtorit të përgjithshëm në KIESA, Gent Berisha, ushtrues detyre i udhëheqësit të Sektorit për Projekte në Fushën e NVM-ve në KIESA dhe Mirlinda Bajrami, zyrtare e lartë e të dhënave në Departamentin e Energjisë të Ministrisë së Ekonomisë, informuan bizneset në detaje lidhur me skemën e granteve për energji të pastër dhe për udhëzuesit përkatës.

Përfaqësuesit e bizneseve në Kosovë, u interesuan të njoftohen më shumë rreth thirrjes, të cilët shtruan pyetje të ndryshme për përfitimet që do të kenë nga granti dhe mënyrën e aplikimit.

Skema e Granteve për Energji të Pastër zbatohet përmes tri thirrjeve të veçanta publike, të cilat përfshijnë masat e mëposhtme:

Masa 1: Mbështetje për sistemet e energjisë solare dhe sistemet e baterive për ruajtjen e energjisë elektrike.

Masa 2: Mbështetje për masat e efiçiencës së energjisë në ndërtesat e bizneseve.

Masa 3: Mbështetje për pajisjet që ulin konsumin e energjisë në linjat e prodhimit.

Brenda kësaj skeme do të përkrahen bizneset në:

  • Sisteme solare për prodhim të energjisë elektrike,
  • Sisteme solare për ngrohjen e ujit,
  • Efiçiencën e energjisë përmes investimeve në izolim të ndërtesave,
  • Bateri për sisteme solare FV, si dhe
  • Shndërrues frekuencor për të rritur efiçiencën e pajisjeve që prodhuesit tashmë i kanë në përdorim.

Skema e Granteve për Energji të Pastër do të ofrojë:

  • deri në 20,000 euro për një masë të vetme,
  • deri në 25,000 euro për masa të kombinuara.

Përveç financimit, skema do të ofrojë edhe ngritje kapacitetesh dhe asistencë teknike për përfituesit, duke siguruar që investimet të jenë të qëndrueshme dhe afatgjata.

Kjo skemë është financuar me një buxhet prej 1,000,000.00 euro nga Qeveria e Dukatës së Madhe të Luksemburgut dhe zbatohet nga KIESA/MINT në partneritet me Ministrinë e Ekonomisë, LuxDev, Agjencinë e Luksemburgut për Bashkëpunim Zhvillimor.

Të gjitha detajet mbi mënyrën e aplikimit janë publikuar në linkun: https://kiesa.rks-gov.net/Page.aspx?id=1,5,1021 , ndërsa aplikimi do të bëhet përmes platformës elektronike e-Kosova: https://ekosova.rks-gov.net/699, ku është i hapur për aplikim deri më 10.12.2025.