Mbahet punëtoria për vlerësimin dhe menaxhimin e rrezikut sizmik
Prishtinë, 24.10.2022 – Shërbimi Gjeologjik i Kosovës (SHGJK) me mbështetjen e Programit IPA CARE – Cluster 2 Sizmic risk, mbajti punëtorinë ndërinstitucionale për vlerësimin dhe menaxhimin e rrezikut sizmik.
Gjatë konferencës u ofruan studime shkencore e harta sizmike, për gjendjen sizmike të territorit të Republikës së Kosovës në aspektin historik, të cilat do të shërbejnë si një platformë e mundësisë së shkëmbimit të përvojave në aspektin e rrezikut sizmik, standardeve dhe kodeve për ndërtim.
U.D. i Drejtorit të Përgjithshëm të SHGJK-së, Luan Morina theksoi se Shërbimi Gjeologjik i Kosovës, i cili vepron në kuadër të Ministrisë së Ekonomisë, konform legjislacionit në fuqi, ka përgjegjësinë institucionale për monitorimin dhe përgatitjen e informacionit përkatës për aktivitet sizmike, informacione të cilat trajtohen tutje nga institucionet relevante në nivel vendi.
Kurse nga Augostino Gorentti, nga IPA CARE-Cluster 2, u prezantua programi si dhe u elaboruan mundësitë për përcaktimin e prioriteteve për mbështetje nga institucionet relevante në Republikën e Kosovës.
Në vijim Shemsi Mustafa, udhëheqësi i Divizionit të Gjeofizikës dhe Gjeologjisë Inxhinierike në SHGJK dhe përfaqësuesit e institucioneve tjera, prezantuan informacionet dhe pikëpamjet shkencore për menaxhimin e rriskut sizmik.
Kosova është një rajon me aktivitet relativisht të lartë sizmik, që është goditur në të kaluarën dhe mund të goditet edhe në të ardhmen nga tërmete të forta, të cilët kanë vatra të cekëta, e që gjenerohen në koren e tokës, maksimumi 15-25 km thellë nën tokë. Sipas Hartës së rrezikut sizmik, Kosova i ka tri zona kryesore burimore sizmike, zona sizmike Prizren-Pejë, zona Ferizaj-Viti-Gjilan dhe zona e Kopaonikut.
Në punëtori u prezantuan të dhënat historike të tërmeteve që kanë goditur territorin e Kosovës që nga viti 1456 deri më 31.09.2021. Tërmeti i parë i regjistruar është ai që e goditi Prizrenin në vitin 1456 dhe ishte njëri nga tërmetet më të fuqishme që është regjistruar në Kosovë, me Magnitudë 6.1 në shkallën Rihter, kurse tërmeti me Magnitudë 6.0 e ka goditur Pejën në vitin 1662, ndërsa Ferizaj është goditur nga një tërmet i fuqishëm në vitin 1921, që ishte me Magnitudë 6.1 në shkallën Rihter.
Gjithashtu, tri tërmetet më të fuqishme që e kanë goditur Kosovën në vitet e fundit, janë tërmeti që e goditi rajonin e Gjilanit më 24.04.2002, me Magnitudë 5.7 në shkallën Rihter, tërmeti i Istogut që ndodhi më 10.03.2010, me Magnitudë 5.2, kurse tërmeti që e goditi rajonin e Vushtrrisë ishte më 18.11.2013 me Magnitudë 4.8.
Në punëtori kanë marrë pjesë përfaqësuesë të Ministrisë së Ekonomisë, Ministrisë së Punëve të Brendshme, Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Mbrojtjes Civile Italiane, Studiues të Sizmologjisë nga Universiteti i Prishtinës, Universiteti i Mitrovicës dhe Komuna e Prishtinës.