Mbahet punëtori për aftësitë për punësim në ekonominë digjitale

Prishtinë, 12.02.2016 – Sot në Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik u mbajt punëtoria për aftësitë për punësim në ekonominë digjitale. E pranishme në këtë punëtori ishte zëvendësministrja e MZHE-së, Besa Zogaj-Gashi, zëvendësministrja e MASHT, Anila Statovci, ndërsa merrnin pjesë edhe ekspertë nga Banka Botërore, zyrtarë të TIK nga MZHE, STIKK, 3CIS, UBT, GIZ dhe përfaqësues të biznesit.

Me këtë rast, ekspertja e Bankës Botërore, Ana Diakondize prezantoi raportin e detajuar për zhvillimin e shkathtësive digjitale në Kosovë, sipas të cilit, zhvillimi i Infrastrukturës digjitale të Kosovës, shkathtësive dhe bizneseve digjitale është vlerësuar si objektiv kryesor për Ekonominë Digjitale në Kosovë, si mundësi për të rritur punësimin dhe eksportin e shërbimeve.

Gjatë punëtorisë u diskutuan po ashtu për sfidat që pengojnë eksportin e shërbimeve, disajnimin e programeve, opsionet për ofrimin e trajnimeve si dhe çështjet tjera të rëndësishme.

Në pjesën e dytë të punëtorisë u prezantuan zhvillimet e fundit të projektit “Gratë  në punë Online” i cili do të fillojë të implementohet në komunën e Lipjanit nga java e ardhshme dhe më pas edhe në komunën e Gjakovës.