Mbahet konferenca mbyllëse e projektit “Krijimi i qendrave kreative në shkollat e mesme të Kosovës”
Prishtinë, 08 korrik, 2021 – Është mbajtur sot konferenca mbyllëse e projektit “Krijimi i qendrave kreative në shkollat e mesme të Kosovës” të inicuar nga Ministria e Ekonomisë (ME) dhe organizuar në bashkëpunim me kompaninë PBC si dhe Akademinë e Revolucionit Digjital PBCA.
Ky projekt i cili është fokusuar në fushën e Teknologjisë së Informimit dhe Komunikimit (TIK) ka mundësuar themelimin e 60 qendrave kreative si dhe trajnimin e 900 nxënësve në këtë fushë e cila është treguar si një mjet i fuqishëm për të ndikuar në rritjen ekonomike.
Gjatë konferencës përmbyllëse të projektit janë ndarë mirënjohje e dhurata për tri shkollat fituese, e të cilat janë:
1. Vendi i parë: Shkolla e Mesme Elektroteknike “Gjin Gazulli”, Prishtinë
2. Vendi i dytë: Shkolla e Mesme Profesionale “Jonuz Zejnullahu”, Viti
3. Vendi i tretë: Shkolla e Mesme Profesionale “Fehmi Lladrovci”, Drenas
Gjatë fjalimit të tij, zëvendësministri i Ekonomisë, Mentor Arifaj ka potencuar se një ndër qëllimet e Qeverisë së Kosovës e veçanërisht Ministrisë së Ekonomisë, është zhvillimi ekonomik i vendit përmes zhvillimit të fushave si kjo e TIK-ut, dhe se ME është duke bërë përpjekje të vazhdueshme që të përkrahë zhvillimin e TIK-ut në vend.
Tutje, zv.ministri Arifaj ka falënderuar nxënësit dhe shkollat për entuziazmin e gatishmërinë për të ndjekur trajnimet e ndryshme të fushës së TIK-ut, përkundër sfidave të shumta me të cilat është përballur projekti për shkak të pandemisë COVID-19.