Mbahet Konferenca IV Ndërkombëtare Multidisiplinare për Gjeoshkencat

Mitrovicë, 14.10.2022 – Ka filluar punimet Konferenca IV Ndërkombëtare Multidisiplinare për Gjeoshkencat (IMGC 2022)”, e cila po mbahet në Universitetin “Isa Boletini” në Mitrovicë (UIBM).

Konferenca dyditore organizohet nga Ministria e Ekonomisë, Universitetit “Isa Boletini” dhe Komisioni i Pavarur për Miniera dhe Minerale.

Zëvendësministri i Ekonomisë, Getoar Mjeku, në fjalën e tij hapëse theksoi rëndësinë që ka për Kosovën mbajtja e Konferencës Ndërkombëtare Multidisiplinare për Gjeoshkencat, pasi vendi ynë është pasur me resurse minerare.

Po ashtu Mjeku pohoi se kjo ngjarje është e rëndësishme për të zënë hapin e dijes me vendet e tjera dhe për të hedhur dritë kah zhvillimi i vendit tonë.

Pjesëmarrës në Konferencë janë përfaqësues nga Kosova, shtetet e rajonit, SHBA-të, Kanadaja dhe Turqia.

Gjatë ditës së parë të Konferencës janë paraqitur me kumtesa 38 referues, kurse në ditën e dytë, pjesëmarrësit do t’i vizitojnë vende të ndryshme të Kosovës, që lidhën me fushën e minierave dhe mineraleve.