Mbahet diskutimi për sektorin minerar të Republikës së Kosovës

Prishtinë, 20.05.2022 – Nën kryesimin e zëvendësministrit të Ekonomisë, Mentor Arifaj, është mbajtur takimi ku është diskutuar për sektorin minerar në Republikën e Kosovës.

Në takim kanë marrë pjesë drejtori i Departamentit të Minierave në ME, Skender Sallahi, bordi dhe menaxhmenti i Ndërmarrjes Publike Trepça, përfaqësues nga bordi dhe menaxhmenti i Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale (KPMM) dhe ekspertë të fushës minerare.

Qëllimi i takimit ishte që të diskutohet për zonaket e interesit të veçantë minerar, partneritetin publiko-privat në sektorin minerar, si dhe për mbetjet minerare dhe industriale.

Zëvendësministri Arifaj tha se duhet të bëjmë çmos që ta fuqizojmë këtë sektor të rëndësishëm të ekonomisë së Kosovës, në mënyrë që të krijojmë vende të reja të punës, dhe siç tha ai kjo do të mund të arrihej edhe përmes fuqizimit të 11 zonave të interesit të veçantë që ka Kosova.
 
Po ashtu zv. ministri Arifaj theksoi se Trepça ka një sasi të madhe të mbetjeve minerale, të cilat janë grumbulluar që nga vitet e 30-ta të shekullit të kaluar, të cilat mund të jenë një potencial i një veprimtarie që mund t’i sillte përfitime Ndërmarrjes Publike Trepça, por duhet të adresohen edhe mundësitë ambientale, sepse ato mbetje për një kohë të caktuar mund të shkaktojnë probleme ambientale.

Z. Arifaj po ashtu tha se Qeveria e Kosovës ka për qëllim krijimin e Fondit Sovran, ku parashihet që të gjitha ndërmarrjet që janë profitabile të kalojnë në Fondin Sovran, dhe në një të ardhme përmes miratimit të Ligjit do të definohet kalimi edhe i Trepçës në Fondin Sovran, por kalimi në këtë fond nuk do ta ndalonte as bashkëpunimin e saj me partner të interesuar, as trajtimin e mbetjeve minerare, e as zhvillimin e zonave të interesit të veçantë.