Mbahen konsultimet publike në Komunën e Gjilanit për draftin e Strategjisë së Energjisë 2022-2031
Gjilan, 16.06.2022 – Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli së bashku me bashkëpunëtorë, ka mbajtur takim për konsultime publike rreth Strategjisë së Energjisë 2022-2031 me qytetarët, asambleistët dhe ekspertët e Komunës së Gjilanit.
Ministrja Rizvanolli dhe ekspertët e sektorit të energjisë, të cilët kanë punuar për të hartuar draftin e Strategjisë, u kanë prezantuar qytetarëve të Gjilanit planet dhjetëvjeçare për sektorin e energjisë dhe vizionin që ka Qeveria e Republikës së Kosovës në këtë drejtim.
Ministrja Rizvanolli theksoi se Strategjia e Energjisë 2022-2031 synon që të vendosë qytetarët e vendit në qendër të saj dhe të jetë sa më gjithëpërfshirëse.
Gjatë diskutimit, Ministrja ndau rëndësinë që kjo strategji vë në siguri të furnizimit, përballueshmërinë si dhe integrimin në tregun rajonal.
Qytetarët dhe ekspertët e fushës së energjisë të Gjilanit shprehen interesim rreth Strategjisë së Energjisë 2022-2031, dhe diskutuan mbi idetë e tyre rreth objektivave dhe synimeve dhjetëvjeçare të strategjisë.
Draft-Strategjia e Energjisë 2022-2031 është në diskutim publik deri më 27 qershor 2022 në platformën e Diskutimeve Publike si dhe në ueb-faqen e Ministrisë së Ekonomisë.