Masat efiçiente të energjisë edhe në Spitalin Regjional të Gjilanit

Gjilan, 13 janar 2011 – Ministrja e  Energjisë dhe Minierave, Justina Shiroka – Pula së bashku me përfaqësuesin e Zyrës Ndërlidhëse të KE-së në Prishtinë, Khaldoun Sinno, përfaqësuesin e Ministrisë së Shëndetësisë, Zenun Çelaj, Kryetarin e Komunës të Gjilanit, Qemajl Mustafa dhe drejtorin e Spitalit Regjional të Gjilanit, Xhavit Hajdari kanë përuruar projektin për zbatimin masave të efiçiencës së energjisë në këtë objekt shëndetësor.

Me këtë rast Ministrja Pula u shpreh se zbatimi i masave të efiçiencës së energjisë në Departamentin e Nënës dhe Fëmijës të Spitalit të Gjilanit është një projekt shumë i rëndësishëm dhe është realizuar nga Komisioni Evropian në kuadër të projekteve për zbatimin masave  efiçiente.

”Zbatimi i projektit të efiçiencës së energjisë në këtë spital do të jetë një shembull jo vetëm për spitalet tjera, por edhe për institucionet e tjera publike, pasi me zbatimin e këtij projekti kuptohet rëndësia në zbatimin e masave efiçiente, pra do të ketë kursim të energjisë nga 30-50 %”, tha ministrja Pula.

Sipas saj, më këtë projekt është realizuar kriteri ekonomik, ambiental, human dhe politik që nënkupton hap në realizimin e objektivit 20:20:20 të BE-së.

Ndërsa, Khaldoun Sinno, nga Zyra Ndërlidhëse e Komisionit Evropian, ka thënë se Kosova ballafaqohet me sfida të ndryshme sa i përket sektorit të energjisë andaj duhet zbatuar masat për kursimin e rrymës, respektivisht ruajtjen e ambientit.

Sinno u shpreh se zbatimi i masave efiçiente në këtë spital përfshinë instalimin e paneleve solare, muret e izoluara, dritaret e reja dhe sipas parallogaritjeve kursimi i energjinë do të shkojnë deri në për 40 %.

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Qemajl Mustafa, ka thënë se është duke u punuar që strategjia për zhvillim ekonomik të gjejë vendin e saj, kurse komuna e Gjilanit ka realizuar shumë projekte sa i përket efiçiencës së energjisë së bashku me KE-në dhe MEM-in.

Xhavit Hajdari, Drejtor ekzekutiv në Spitalin Regjional të Gjilanit ka bërë të ditur se për realizimin e këtij projekti janë investuar 414 mijë euro, prej të cilave 386 mijë euro nga Komisioni Evropian dhe 28 mijë nga Spitali Regjional i Gjilanit.

Ai tha se në objektin ku janë zbatuar masat e efiçiencës së energjisë funksionojnë Reparti i Gjinekologjisë-Obstetrikës, Neonatologjisë, Qendra për Mirëqenien e Gruas, Shërbimi Laboratorik dhe shërbime të tjera.
    
Në fund të ceremonisë së përurimit të këtij projekti, Spitali Regjional i Gjilanit i ka ndarë mirënjohje ministres Pula, përfaqësuesit të KE-së, kreut të komunës së Gjilanit dhe projektuesit të këtij projekti.