Masat e EE-së zbatohen edhe në shkollën 8 Marsi të Pejës
Pejë, 20.10.2014 – Ministri i Zhvillimit Ekonomik Fadil Ismajli, së bashku me kreun e Zyrës së BE-së, në Prishtinë, Samuel Zhbogar dhe kryetarin e Komunës së Pejës Gazmend Muhaxheri, kanë përuruar zbatimin e masave të Efiçiencës së Energjisë në Shkollën 8 Marsi në Pejë.
Me këtë rast ministri Ismajli, ka pohuar se gjenerimi i energjisë nuk do të jetë çështje sfiduese në të ardhmen, por shfrytëzim më i mirë i energjisë së gjeneruar, andaj sipas tij efiçienca e energjisë është edhe burimi më alternativ i energjisë më i lirë dhe njëkohësisht më i besueshmi.
“Komisionit Evropian i jemi mirënjohës për financimin e këtij projekti, që është një përkrahje e vlefshme me anë të së cilës do të ndihmohet drejt arritjes së caqeve të kursimit të energjisë sipas direktivave të BE-së“, ka thënë ministri Ismajli.
Nga ana e tij numri një i BE-së në Kosovë Samuel Zhbogar, ka thënë se deri më tani janë përzgjedhur 63 shkolla në tërë Kosovën për të instaluar masat e efiçiencës së energjisë.
“Mendoj se kemi bërë një punë të mirë dhe në këtë shkollë kemi kombinuar dy gjëra, në njërën anë mjedisin dhe në anën tjetër zhvillimin, pra i kemi kombinuar që të dyja ekonominë dhe mjedisin”, ka thënë Zhbogar.
Ndërsa, kreu i Komunës së Pejës Gazmend Muhaxheri ,duke falënderuar kreun e BE-së Samuel Zhbogar dhe ministrin Ismajli tha se ndihma respektivisht vendosja e masave te efiçiencës së energjisë është e rëndësishme në veçanti vendosja e këtyre masave në shkolla.