Marrëveshja për TC Kosova e Re, suksesi më i madh i vitit 2015

Prishtinë, 30.12.2015 – Finalizimi i marrëveshjes me kompaninë amerikane Contour Glogal, në cilësinë e investitorit për ndërtimin e termocentralit “Kosova e Re”, është suksesi më i madh i këtij viti në fushën e energjisë, ka deklaruar ministri i Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci.

Këto komente, Stavileci i bëri sot në konferencën përmbyllëse për vitin 2015, ku prezantoi të arriturat e MZHE-së gjatë këtij viti dhe sfidat me të cilat u përball. Ai vuri në dukje se Energjia dhe Teknologjia e Informacionit dhe Komunikimeve janë dy nga sektorët strategjikë ku ka pasur zhvillime të rëndësishme.

Duke folur për sektorin e energjisë, Stavileci tha se marrëveshja e arritur për TC ka rezultuar të jenë alternativat më e mirë, e cila balancon në mënyrë më të mirë të mundshme objektivat qeveritare, sigurinë e furnizimit me energji dhe çmime të përballueshme.

“Pra flitet për një njësi prej 500 MW, investim prej 1 miliard euro, që është investim i huaj direkt, me pjesëmarrje të kapitalit të një investitori privat dhe me kontributin e institucioneve ndërkombëtare financiare”, tha Stavileci, duke vënë në dukje se furnizimi jostabil me energji po i shkakton biznesit humbje deri në 300 milionë euro në vit.

Më tej, kreu i MZHE-së, nënvizoi se finalizimi i pjesës kosovare të Interkoneksionit 400kV Kosovë-Shqipëri është suksesi i radhës në këtë fushë, nga i cili pritet të kursehen 200 milionë humbje që janë shkaktuar ndër këto vite, derisa e bën më të pranueshëm ndërtimin e TC Kosova e Re. Me këto projektet Kosova është pjesë e Traktatit të Komunitetit të Energjisë.

Sa i përket Efiçiencës së Energjisë, Stavileci bëri të ditur se kanë nisur dy projekte, njëri me Bankën Botërore, për zbatimin e masave të EE në ndërtesat publike dhe tjetri me KfW dhe kornizën e investimeve të Ballkanit Perëndimor WBIF ku janë të përfshira ndërtesat e institucioneve lokale. Gjithashtu, ai tha se është lansuar Studimi i Fizibilitetit për themelimin e Fondit për Efiçiencë të Energjisë, i cili do të jetë në dispozicion edhe për sektorin privat dhe sektorit publik.

Ndërkaq, sa i përket Burimeve të Ripërtëritshme të Energjisë, ai tha se për të mbajtur interesimin e investitorëve në këtë fushë janë nisur procedurat për krijimin e ‘One Stop Shop’, që ka për qëllim lehtësimin e procedurave dhe harmonizim afatit të licencave.

Ministri Stavileci më tej është ndalur te fusha e telekomunikimeve, ku potencoi se është përgatitur Strategjia Kombëtare e Teknologjisë së Informacionit, ndërsa puna është fokusuar në dy projekte reja, Fondi për TIK dhe krijimi i inkubatorit të biznesit për TIK, i cili i hap rrugën një parku teknologjik.

Stavileci gjatë konferencës foli edhe për sektorët tjerë që mbulon MZHE, siç janë Minierat dhe Ndërmarrjet Publike, në të cilat është duke u punuar kryesisht në përmirësimin e kornizës ligjore.

Ministri Stavileci pohoi se zhvillimet politike kanë sfiduar punën e institucioneve, por është arritur që objektivat kryesore të ruhen të paprekura nga ndikimet.