Lluka: Rritet kursimi i energjisë elektrike deri në 45%

Prishtinë, 05.09.2019 – Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka qëndroi në Komunën e Gjakovës për të përcjellë për së afërmi projektin zbatimit të masave të Eficiencës së Energjisë.

Siç edhe është zotuar gjatë nënshkrimit të memorandumit në Shkollën Fillore “Yll Morina” në Gjakovë, i cili ka siguruar investimin në vlerë prej 319 mijë euro ku 290 mijë sosh janë ndarë nga MZHE dhe 29 mijë nga Komuna e Gjakovës për reastaurimin e shkollës si dhe zbatimin e masave të Eficiencës së Energjisë, ministri Lluka sot ka bërë të ditur edhe për donacionin e radhës në Pjetershan të po kësaj komune në Qendrën e mjekësisë familjare dhe në Shkollën Fillore “Anton Çeta”.

Ky është një ndër investimet më të mëdha në nivel lokal sa i përket përmirësimit të kushteve në shkolla dhe objekete publike.

Ministri Lluka u shpreh: “Erdha në Gjakova për disa qëllime ku fokusi kryesor ka qenë Qendra e Mjekësisë Familjare  dhe Shkolla Fillore “Anton Çeta” në Pjetershan të Gjakovës për ta furnizuar me fibër optik të dy këto institucione shumë të rëndësishme sidomos në zona rurale që është me rëndësi që të furnizohen me internet të shpejtë. Ndërsa shkollën fillore “Anton Çeta”  kemi furnizuar me pajisje Teknologjike si  kompjuterë, printerë 3D, pajisje këto për nxënës në mënyrë që të zhvillojnë kreativitetin në fushën e Teknologjisë së Informacionit.

Projekti i MZHE-së Kosovo Digital Economy (KODE) ka për qëllim mbulimin e të gjitha fshatrave të Kosovës me internet të shpejtë dhe stabil siç është ai me fibër optik.

Ndërsa pjesa më e madhe e projektit është investimi në efiçiencë të energjisë që do të bëhet kursimi i energjisë dhe rritja e mirëqenjes së nxënsve, mësuesve dhe stafit të shkollës.Investimi fillestar është 320 miië euro dhe pritet të rritet deri në 500 mijë euro në mënyrë që të bëhet edhe ndërrimi i radiatorëve.

Drejtori i shkollës “Anton Çeta”, Berat Bejtullahu u shpreh: ” Jemi shumë të kënaqur dhe të gëzuar njëkohësisht qysh nga nënshkrimi i memorandumit për zbatimin e masave të efiçiencës dhe falënderojmë MZHE-në për këtë investim kaq të madh”.

Njoftojmë se përmes projektit për efiçiencë të energjisë parashihet që kursimi i energjisë elektrike në objektet ku do të zbatohet ky projekt do të arrijë deri në 45%.