Lluka: Kosova lidere në rajon për projektin e autostradës digjitale

Prishtinë, 20.07.2018 – Ministria e Financave dhe Banka Botërore kanë nënshkruar sot marrëveshjen për financimin e projektit “Ekonomia Digjitale në Kosovë – KODE”, në vlerë prej 20.7 milionë euro. Marrëveshja u nënshkrua nga Ministri i Financave, Bedri Hamza dhe Menaxheri i Bankës Botërore për Kosovën, Marco Mantovanelli, ndërsa i pranishëm në ceremoni ishte edhe Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, pasi MZHE do të jetë implementuese e tij.

Ministri i Financave, Bedri Hamza, e quajti projektin të rëndësishëm, duke thënë se do të kontribuojë në zhvillimin ekonomik, derisa vlerësoi se kushtet e marrëveshjes janë jashtëzakonisht të volitshme, shuma është 20 milionë e 700 mijë euro me një periodë prej 5 viteve dhe afat të kthimit prej 20 vite.

Nga ana e tij, Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka tha se përmes këtij projekti, Kosova synon që të jetë një nga vendet e para në Evropë më të ndërlidhura me rrjetin broadband apo rrjeti brezgjerë të frekuencës, që do të thotë se çdo cep i Kosovës do të ketë qasje në shpejtësi të madhe të internetit dhe do të ketë mundësi që përmes pjesës shtesë siç është zhvillimi i shkathtësive, në atë mënyrë që të krijohen vetëpunësime për personat që i gjenerojnë këto shkathtësi.

“Sot Kosova i ka rreth 1 miliard euro shërbime të eksportit ku gjysma e tyre vijnë nga sektori i teknologjisë informative dhe kjo për ne është me rëndësi kur e dimë se eksportet e prodhimeve janë rreth 300 milionë. Prandaj unë besoj që ekonomia digjitale është e ardhmja e jonë, jo vetëm për infrastrukturën e brendshme por edhe për potencialin e punësimit të rinisë në fushën e teknologjisë informative”, tha Lluka.

Sipas tij, ky projekt e ka për qëllim përmirësimin e infrastrukturës për t’ua bërë punën më të lehtë të rinjve, andaj ky do të jetë një nga projektet më atraktive për vendin. Lluka u shpreh krenar që Kosova vazhdon të jetë lider në rajon për projektin e autostradës digjitale në Ballkanin Perëndimor dhe me përfundimin e këtij projekti shpreson se do të shërbejë si mësim për vendet e tjera në zhvillimin e infrastrukturës digjitale.

Menaxheri i Bankës Botërore për Kosovë, Marco Mantovanelli e ka krahasuar projektin KODE me atë të liberalizimit të vizave, sepse e afron botën me Kosovën dhe anasjelltas.

Sipas tij, me këtë projekt më shumë se 60 mijë persona do të lidhen me internet. “Ne presim që deri në vitin 2023 më shumë fshatra të lidhen me këtë brez frekuencor. Më shumë se 60 mijë persona do të lidhen me rrjet të internetit. Sot nënshkruam një marrëveshje financiare, ne kemi punuar qe dy vite me stafin e ministrit Valdrin Lluka për të zhvilluar një projekt të tillë. Ne kemi bërë disa projekte për të ndërlidhur gratë në këtë. Pra krijimi i rrjetit të grave, i cili do të zhvillohet dhe të marrin pjesë edhe të rinjtë në të”.

Ndryshe, Projekti ‘“Ekonomia Digjitale në Kosovë – KODE” do të implemetohet nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik, ndërsa ka për qëllim që të mbuloj tërë territorin e Kosovës me fibër optik.