Lluka kërkon projekte konkrete nga kompanitë e ujësjellësve që do të financohen nga BERZH

Prishtinë, 10.09.2018 – Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, priti sot në një takim pune përfaqësuesit e Shoqatës së Ujësjellësit dhe Kanalizimit të Kosovës, me të cilët u diskutuan zhvillimet në këtë sektor, por me theks të veçantë për projektet me të cilat mund të aplikohet te donatorët dhe fushatën vetëdijesuese për kursimin e ujit.

Gjatë këtij takimi, Ministri Lluka, kërkoi nga ndërmarrjet që të bëjnë projekte konkrete për ujëmatësit SMART në një afat kohor sa më të shkurtë, të cilat më pas do t’i prezantohen Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH).

Lluka tha se ndërmarrjet publike asnjëherë nuk do të mbeten pa mbështetjen e Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, duke i ndihmuar në përshpejtimin e planeve strategjike dhe investimeve në ujësjellës dhe kanalizim, me qëllim të lehtësimit të qasjes në ujësjellës dhe kanalizim të gjithë qytetarëve të Kosovës.

Kreu i MZHE-së tha se angazhimi maksimal i ndërmarrjeve ka rëndësi të jashtëzakonshme, pasi performanca e tyre ndikon direkt në rritjen e cilësisë së shërbimeve ndaj qytetarëve.

Gjatë këtij takimi, SHUKOS u zotua se kompanitë e sektorit që mbulon nga java tjetër do të dalin me projekte konkrete për ujëmatës, me të cilat do të aplikohet për financim në Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim.