Lluka informon biznesmenët nga Pakistani dhe Kanada me mundësitë që ofron Kosova për investime

Prishtinë, 08.05.2018  – Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka priti sot një delegacion të biznesmenëve nga Pakistani dhe Kanada, të cilët i ka njoftuar me mundësitë për investime në vend në sektorët që mbulon ministria që drejton.

Me këtë rast, Ministri Lluka prezantoi para afaristëve pakistanezë dhe kanadezë resurset që ka vendi sidomos në sektorët strategjikë si energjia dhe minierat, duke vlerësuar se këto resurse paraqesin një potencial të mirë për investime të jashtme.

Kreu i MZHE-së ka vënë në pah kornizën institucionale dhe ligjore, e cila është në funksion të nxitjes së investimeve të huaja në këta sektorë dhe jo vetëm, duke përmendur këtu edhe Ligjin për Investime Strategjike.

Nga ana e tyre, biznesmenët nga Pakistani dhe Kanada shprehën interesimin për investime të Kosovë, ndërsa vlerësuan gatishmërinë e Ministrit Lluka për t’i informuar në detaje për potencialet dhe mundësitë që ofrohen, që tregon interesimin e Qeverisë së Kosovës për të mbështetur investitorët e jashtëm.