Lluka: Biznesi duhet të ketë tarifa më të favorshme të energjisë

Prishtinë,
21.11.2017 – Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka është shprehur i
bindur që brenda pesë viteve problemet që lidhen me energjinë elektrike do të
zgjidhen, ndërsa theksoi se biznesi duhet të ketë tarifa më të favorshme të
energjisë, pasi është gjeneruesi i zhvillimit ekonomik.

Këto komente kreu i MZHE-së i bëri sot në forumin e biznesit me temën “Pengesat
qindra milionëshe: Energjia Elektrike”, të organizuar nga Oda Ekonomike e
Kosovës dhe GIZ, ku u vlerësua se kostoja dhe mungesa e energjisë elektrike
vazhdojnë të jenë barrierat kryesore për bizneset në Kosovë.

Ministri Lluka me këtë rast tha se që nga paslufta Kosova ka importuar 550
milionë euro energji, ndërsa nuk ka ndërtuar kapacitete të reja të energjisë qe
sa vite.

Ministri tërhoqi vërejtjen se kosto e prodhimit në Kosovë është rreth 30 për
qind më e shtrenjtë se ajo e rajonit. “Kosova është i vetmi vend në Evropë, që
tarifat e bizneseve janë më të shtrenjta se të shtëpive. Duhet të rregullohet
një treg që të kemi një bilanc në mes  tarifave biznesore me ato të
shtëpive”, tha ai.

Ai potencoi se në të gjitha vendet evropiane tarifat e energjisë për bizneset
janë pothuaj të përgjysmuara në raport me ato shtëpiake, sepse biznesi duhet të
stimulohet ngase ai gjeneron punësimin.