Lluka: Aeroporti i Gjakovës një potencial i jashtëzakonshëm që duhet aktivizuar

Prishtinë, 08.12.2017 – Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, ka qëndruar në Komunën e Gjakovës, me ç’rast ka vizituar dy kompanitë publike; ‘KRU Gjakova’ dhe Aeroporti i Gjakovës, ku me menaxhmentin e tyre ka diskutuar për të arriturat dhe sfidat me të cilat ballafaqohen ato.

Gjatë vizitës në Ujësjellësin Rajonal Gjakova, Ministri Lluka u informua nga Kryeshefi Ismet Ahmeti rreth gjendjes aktuale dhe planeve për zhvillim të kësaj ndërmarrje publike, e cila humbjet në rrjet nga 70% në vitin 2011 i ka ulur në 47% këtë vit,  me synim që ato të arrijnë në normat e Bashkimit Evropian që është rreth 8 – 12 për qind.

“Është bërë punë mjaftë e mirë në këtë ndërmarrje mirëpo ka hapësirë që të avancohet edhe më tej me përkrahje të Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik dhe donatorëve të ndryshëm, sidomos në dy projekte shumë më rëndësi: 1. Finalizimi i projektit që dyfishon kapacitetin prodhues nga 500 litra në sekondë në 1000 litra në sekondë duke arritur të mbuloj shumë më tepër fshatra dhe qytete. 2. Ndërrimi i gypave të vjetër të azbestit (rreth 125 km) me një vlerë prej 12 milionë euro, projekt obligativ që të sigurohemi që uji që përdorim të vazhdoj të jetë i shëndetshëm”, ka thënë Lluka.

Ndërkaq, në Aeroportin e Gjakovës, Ministri u prit nga Kryeshefja Ekzekutive, Vlora Gojani me bashkëpunëtorë, nga ku informova rreth statutit të kësaj ndërmarrje publike, punën dhe problemet me të cilat ballafaqohet.

“U njoftuam për situatën. Është një aset jashtëzakonisht i rëndësishëm për vendin dhe ne mendojmë se duhet të aktivizohet që të gjenerojë zhvillim ekonomik, që të ketë më shumë fluturime, të sjellim më shumë turistë si dhe normalisht të punësojë, si rezultat i kësaj”, tha Lluka.

Ai tha se ka filluar disa procedura tashmë për aktivizimin e këtij aeroporti dhe aktualisht janë duke shikuar formën më të mirë ligjore që është e mundur. “Besoj që shumë shpejt, jo më tepër se gjysma e vitit të ardhshëm ne të jemi në gjendje të kemi diçka konkrete rreth procedurave të aktivizimit të këtij aeroporti’, tha Lluka.

Kreu i MZHE-së, tha se tha se nuk përjashtohet mundësia që Aeroporti i Gjakovës t’i jepet në shfrytëzim kompanisë turke “Limak”, e cila menaxhon Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës, pasi kjo që nuk kërkon investime nga ana jonë dhe kërkon vetëm një partneritet shtesë, një partneritet publik-privat.