Lluka: 2018-ta, vit i energjisë së gjelbër

Prishtinë, 30.01.2018 -Viti 2018 do të jetë vit i gjelbër, do të jetë viti ku energjia e ripërtërishme do të ketë fokus të veçantë, me qëllim të arritjes përmbushje së caqeve të përcaktuara deri në vitin 2020, ka deklaruar Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, gjatë takimit me biznese, anëtare të Shoqatës për Energjisë së Ripërtërishme.

Ministri Lluka, me këtë rast tha se në zhvillimin e këtyre burimeve ka disa sfida ndër të cilat renditi, madhësinë e licencave, mungesën e transparencës në dhënien e këtyre licencave dhe financimi i këtyre projekteve përmes kredive bankare, të cilat ende e shohin me rrezik.

Duke folur për licencimet e deritashme për prodhimin e energjisë nga BRE, Lluka bëri të ditur se janë licencuar 120MW nga era, 30MW nga energjia solare, kapacitet ky që pritet të rritet edhe me 50MW tjera përmes një ankandi publik sipas praktikave të BE-së. Ai tha se janë duke u shqyrtuar edhe resurset nga biomasa, derisa shprehu skepticizëm për shtimin e licencave për hidrocentrale për shkak të resurseve të kufizuara dhe ndikimit negativ në mjedis.

Një masë tjetër që do të ndihmonte zhvillimin e këtij sektori, kreu i MZHE-së përmendi edhe themelimin e OSS (One Stop Shop), ku investitorët do të kishin një adresë ku do të merrnin informacionet e duhura për të gjitha licencat dhe lejet e nevojshme pa pasur nevojë për vrapuar nëpër disa institucione.

“Ligji për Efiçiencë të Energjisë është draftuar me përfshirjen e akterëve dhe ka mbështetjen e Komisionit Evropian. Ligji do të dal në konsultim publik së shpejti dhe  brenda një muaji do të kalojë në Qeveri dhe më pas në Parlament. Qëllimi jonë është që në muajin prill të miratohet”, tha ai.

Në këtë linjë, Ministri Lluka tha se “Kosova e Re”  ka pasur si kusht të gjenerojë 10 për qind energji termike. Ndërsa janë duke u bërë studimet e fizibilitetit për zgjerimin e rrjetit të ngrohjeve në Prishtinë, Gjakovë dhe më pas edhe në Mitrovicë.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Safet Gërxhaliu, tha se janë bërë hapa pozitiv në aspektin ligjor, por zbatimi i tyre nga institucionet ende lë për të dëshiruar. Ai tha se pret hapa të shpejtë nga institucionet që të zgjidhin problemet me të cilat ballafaqohen bizneset e këtij sektori.

Edhe kryetari i Shoqatës për Energji të Ripërtrirshme, Bekim Shyti e vlerësoi të rëndësishëm takimin e bizneseve të sektorit të BRE-ve me ministrin Lluka, ku patën rastin të paraqesin problemet e tyre dhe të diskutojnë mundësitë e zgjidhjes.