Lansohet thirrja publike për subvencionim të izolimit të shtëpive individuale të banimit

Prishtinë, 26.08. 2024 – Fondi i Kosovës për Efiçiencë të Energjisë (FKEE) kanë lansuar thirrjen e dytë publike për masat e efiçiencës së energjisë për shtëpi individuale të banuara, që realizohet me mbështetjen e Bashkimit Evropian.

Projekti ka për qëllim mbështetjen e konsumatorëve familjar përmes rritjes së efiçiencës së energjisë në shtëpitë individuale të banuara, i cili përfshin izolimin e mureve të jashtme të shtëpisë, izolim të kulmit, ndërrim të dritareve dhe dyerve të jashtme.

Në konferencën e mbajtur me rastin e lansimit të kësaj thirrje, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti u bëri thirrje qytetarëve që të aplikojnë sa më parë për subvencionimin e izolimit të shtëpive të tyre në thirrjen që do të jetë e hapur për dy javë.

“Kur kemi dizajnuar pakon, jemi siguruar që përfitimet të jenë të menjëhershme, por jo afatshkurta. Masat janë dizajnuar ashtu që të përmirësohet cilësia e jetesës e të ulen shpenzimet e energjisë për familjet dhe bizneset e vendit tonë në të ardhmen në afat të gjatë. Këtë pako, të përkrahur nga Bashkimi Evropian, e kemi bazuar në një skemë të suksesshme të Ministrisë së Ekonomisë gjatë dimrit 2022-2023, skemën e subvencionimit të pajisjeve efiçente për ngrohje për 10,000 familje, si dhe ide të tjera inovative”, theksoi Kryeministri Kurti.

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli duke folur për sukseset e realizimit të thirrjes për masat e efiçiencës së energjisë për shtëpi individuale të shpallur vitin e kaluar, theksoi se para një viti së bashku me Fondin vendosen të fillojnë skemën për shtëpi individuale, që ishte shumë më komplekse se sa disa projekte që i kishim zhvilluar, por se realizimi i skemës së subvencionimit ishte e suksesshme dhe është një nga projektet që do të mbahen mend.

“Para një viti vendosëm së bashku që të fillojmë skemën për shtëpi individuale që ishte shumë më komplekse se projektet që ishin zbatuar. Kjo skemë jo vetëm që kaloi pa probleme, pa ankesa, mirëpo ishte aq e suksesshme sa është një ndër gjërat që do të mbahet mend për kohë të gjatë. Është kënaqësi jashtëzakonisht e veçantë që të mund të vazhdojmë edhe sivjet me këtë skemë të masave edhe këtë herë të mbështetur financiarit nga Bashkimi Evropian”, shtoi Rizvanolli.

Thirrja për subvencionim të izolimit të shtëpive hapet nesër (27 gusht 2024) dhe qytetarët nga e gjithë Republika e Kosovës mund të aplikojnë nga ora 09:00, përmes platformës eKosova.

Përfituesit e masës së subvencionimit do të rimburohen 45% të shumës së investimit në masa të izolimit, apo në shumë maksimale deri në 5,500 Euro, si kufi maksimal i mundshëm për një shtëpi – përfitues individual, e destinuar për banim privat/familjar. Kurse, deri në 50% arrin shuma e financimit, kur shtëpia është në bashkëpronësi të bashkëshortëve, ose nëse gruaja është pronare e shtëpisë.

Aplikimi përbëhet nga disa hapa që duhet të ndiqen nga aplikuesit për të përfunduar me sukses:

  • Hapja e llogarisë në e-Kosova;
  • Verifikimi i konsumimit të energjisë përmes kësaj platforme;
  • Nëse kalojnë kriterin e konsumit të energjisë, të angazhojnë një auditor të energjisë, i cili do të bëjë raportin e thjeshtëzuar të auditimit;
  • Pasi të marrin këtë raport të thjeshtëzuar të auditimit, mund të fillojnë aplikimin në e-Kosova, duke plotësuar të gjitha fushoret dhe duke ngarkuar raportin e auditimit.