Lansohet programi më i madh energjetik në vend, në mes të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Korporatës të Sfidës së Mijëvjeçarit (MCC)
Prishtinë, 30 prill 2024 – Në një ngjarje ceremoniale, Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli dhe Zëvendëspresidenti i Operacioneve Kompakt në Korporatën Amerikane të Sfidës së Mijëvjeçarit (MCC) Cameron Alford, sot nënshkruan marrëveshjen e hyrjes në fuqi të programit të Kompaktit MCC-Kosovë, i fokusuar në ofrimin e zgjidhjeve moderne të energjisë së pastër për të përmirësuar besueshmërinë e energjisë elektrike në vendin tonë.
Synimi i Qeverisë së Kosovës për një tranzicion drejt një të ardhme me energji më të qëndrueshme, gjithëpërfshirëse, të besueshme dhe të përballueshme mbështetet nga programi i Kompaktit MCC-Kosovë.
Ky program, inkurajon pjesëmarrjen e barabartë të grave në sektorin energjetik të vendit i cili pritet të zbatohet përgjatë pesë vjetëve të ardhshëm ku nga ky grant i MCC-së pritet të përfitojne rreth 2 milionë njerëz.
Ministrja Rizvanolli tha se me hyrjen në fuqi të këtij programi, Kosovën e vendos në rend të parë të zhvillimeve botërore të energjisë. Ajo po ashtu, shtoi se, programi është dizajnuar dhe përgatitur intensivisht me sukses së bashku nga ekipet e Kosovës dhe të MCC-së, në një partneritet të shkëlqyeshëm.
Ky partneritet do të vazhdojë me po të njëjtin përkushtim në mënyrë që të ndërtojmë infrastrukturën kyçe për një sektor modern e të pastër të energjisë, e njëkohësisht të sigurohemi që – të parët në rajon – të rinjt e të rejat tona i aftësojmë e i përfshijmë në këtë sektor dinamik që do të krijojë vende të punës, përfundoi Ministrja Rizvanolli.
Ndërsa, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti tha se Programi Kompakti i Kosovës është investimi më i madh në vendin tonë në sektorin energjetik. Kontributi i konsiderueshëm i Qeverisë prej 34.7 milionë dollarësh shërben si një dëshmi për angazhimin e Qeverisë sonë si ndaj këtij programi, ashtu edhe ndaj transformimit të sektorit tonë të energjisë.
Kompakti MCC-Kosovë synon të prezantojë një sistem të avancuar të ruajtjes së energjisë, duke hedhur themelet për burime të besueshme, të ripërtëritshme të energjisë që do të integrohen në rrjetin e Kosovës, dhe duke reduktuar nevojën për energji të prodhuar nga thëngjilli si dhe importet e kushtueshme të energjisë.
Zëvendëspresindeti i MCC-së për Departamentin e Operacioneve Kompakt, Cameron Alford u tha se, kompakti do të shërbejë si gur themel i tranzicionit të Kosovës drejt energjisë së gjelbër, duke rritur sigurinë energjetike të vendit dhe duke nxitur transformimin e tij socio-ekonomik. Ai potencoi se MCC është krenare që është partnere me Qeverinë e Kosovës për të filluar zyrtarisht fazën e zbatimit të kompaktit për të siguruar një të ardhme të qëndrueshme, më të ndritshme dhe më të barabartë energjetike për të gjithë kosovarët.
Kompakti prej 202 milionë dollarësh, së bashku me një kontribut prej 34.7 milionë dollarësh nga Qeveria e Kosovës, me një total prej 236.7 milionë dollarësh, i përgjigjet kufizimit të furnizimit jo të besueshëm me energji elektrike në Kosovë, është në përputhje me prioritetet kombëtare të Qeverisë për zhvillim dhe energji dhe synon të ulë varfërinë dhe të rris qëndrueshmërinë ekonomike në Kosovë.
Me rezerva prej se paku 340 MWh, Kosova do të bëhet shteti me kapacitetin më të madh të baterive për kokë banori në botë.
Deri në fund të vitit 2027, parashikohet që Kosova të ketë kapacitetin më të madh të baterive në botë për kokë banori.