Lansohet platforma digjitale MOODLE
Prishtinë, 14.02.2024 – Zëvendësministri i Ekonomisë (ME), Getoar Mjeku ka mbajtur fjalën e tij hapëse në lansimin e projektit për Ekonominë Digjitale të Kosovës (KODE) ka lansuar platformën digjitale MOODLE në hapësirat e qendrës të Parkut të Inovacionit dhe Trajnimit në Prizren (ITP).
Të gjitha aktivitetet që lidhen me KREN, janë pjesë e programit KODE të mbështetur nga Banka Botërore. Projekti MOODLE është zbatuar nga KREN (Rrjeti Kosovar për Hulumtim dhe Edukim) me mbështetjen e Rrjetit kroat CARNET dhe financuar nga Bashkimi Evropian dhe Ministria Federale Gjermane për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik dhe zbatuar në kuadër të Qendrës për Transformim Digjital në ITP.
Zv.ministri Mjeku tha se sot është një ditë e veçantë për arsimin në përgjithësi duke shënuar lansimin e platformës së mësimit online MOODLE, si një shërbim i ri funksional i KREN-it, i përshtatur dhe i dedikuar për të gjitha institucionet dhe nivelet e arsimit në vend.
Duke e shfrytëzuar infrastrukturën paraprake të KREN-it, të lidhjes me internet me pajisje moderne, në të gjitha Institucionet e Arsimit të Lartë në vend, dhe në qindra shkolla në Kosovë; Lidhjen e Institucioneve të Arsimit të Lartë (IAL) me Eduroam; Shërbimin për qasje dhe hostim në Qendrën e të Dhënave të KREN-it; Shfrytëzimi i licencave Microsoft 365, si dhe shërbime të tjera përcjellëse, me KREN çdo ditë e më tepër po i afrohemi integrimit dhe përdorimit të MOODLE në sistemin arsimor kosovar, shtoi ai.
Mjeku më tej shtoi se koordinimi ndër-institucional shtetëror dhe thellimi i bashkëpunimit me organizatat ndërkombëtare, ngritja e kapaciteteve njerëzore në KREN, instalimi i pajisjeve ‘smartboard’ apo pajisjeve tjera të ngjashme në shkolla, mirëmbajtja dhe menaxhimi i këtyre pajisjeve dhe shërbimeve nga vet stafi i shkollave respektive, pilotimi në shkolla dhe implementimi i tërësishëm i integrimit dhe përdorimit të MOODLE, janë vetëm disa nga elementet kryesore që ne do të shikojmë përpara së bashku për të ngritur këto kapacitete.
Ndërkaq, KREN e ofron platformën MOODLE si një Sistem i Menaxhimi të Mësimit (LMS) online nga një “open-source” apo burim i hapur dhe i përshtatur për nevojat e arsimit në Kosovë. MOODLE përdoret për mësimin e kombinuar, edukimin në distancë dhe projekte të tjera mësimore online apo në klasë, dhe poashtu mund të përdoret edhe për punë të ndryshme nga sektorë të tjerë. KREN MOODLE LMS është projektuar që të jetë i lehtë për t’u përdorur si për nxënësit ashtu edhe për instruktorët / ligjëruesit.
Përparësitë e përdorimit të MOODLE:
– Deponimin e materialeve të kursit, e disponueshme në çdo kohë, kudo;
– Organizimi i kursit, në mënyrë që studentët të dinë saktësisht llojin e aktivitetit dhe sasinë e kohës për të kushtojnë studimit të secilit modul kursi;
– Shërbimet e komunikimit, për të lejuar bashkëpunimin midis studentëve dhe për të lehtësuar ndërveprimin ndërmjet studentëve dhe pedagogëve;
– Shërbimet e vlerësimit, në mënyrë që vlerësimi të kryhet më shpesh, studentët mund të marrin në çast reagimet dhe, përveç kësaj, procesi i korrigjimit nga mësuesi mund të kryhet automatikisht.
Pas përfundimit të lidhjes me infrastrukturë fizike të internetit dhe qasjes në internet, për të gjitha IAL-et në vend, përfaqësues nga KODE/ME së bashku me përfaqësues nga KREN po punojnë fort për të shtyrë më tej projektin e vendosjes dhe lidhjes me internet të të gjitha shkollave të Kosovës, dhe vendosja e kësaj infrastrukture do të shërbej si bazë kryesore për integrimin e MOODLE.
Në fund, u ndanë edhe çertifikatat e trajnimit pesë javor, për 14 “Trajnerët” e përmbajtjes digjitale, të cilët morën edhe emrin si “Instructional Designers”.