Lansohet fushata për Efiçiencën e Energjisë

Prishtinë, 4 maj 2010 – Në kuadër të aktiviteteve për Ditën e Evropës, Zyra Ndërlidhëse e Komisionit Evropian në Prishtinë në bashkëpunim me Ministrinë e Energjisë dhe Minierave kanë lansuar sot fushatën për ngritjen e vetëdijes publike për nxitjen e Efiçiencës së Energjisë dhe Burimeve të Ripërtërishme të Enegjisë.

Me këtë rast, Ministrja e Energjisë dhe Minierave, Justina Shiroka – Pula dhe Shefi i Zyrës Ndërlidhëse të KE-së në Prishtinë, Renzo Daviddi kanë vënë në dukje rëndësinë e Efiçiencës së Energjisë dhe Burimeve të Ripërtërishme të Energjisë për uljen e shpenzimeve dhe mbrojtjen e ambientit.

Ministrja Pula ka thënë se MEM në politikat e saj i ka kushtuar rëndësi të veçantë efiçiencës së Energjisë dhe BRE-së në përpjekje për të implementuar Direktivat e BE-së dhe obligimet që dalin nga Traktati i Komunitetit të Energjisë, nënshkruese  e të cilit është edhe Kosova.

Ministrja Pula ka nënvizuar me këtë rast hartimin e kornizës ligjore dhe projektet që MEM i ka ndërmarrë për të avancuar këtë fushë, duke përmendur këtu projektet për ngritjen e efiçiencës të realizuara nga buxheti i Ministrisë, siç janë instalimi i paneleve solare në QKU dhe Konviktet e Qendrës Studentore në Prishtinë dhe projekti i HC të Zhurit.

Nga ana e tij, Shefi i Zyrës Ndërlidhëse të KE-së në Prishtinë, Renzo Daviddi tha se Efiçienca e Energjisë është shqetësimi kryesor në Bashkimin Evropian dhe për këtë të gjitha shtetet anëtare janë zotuar ta ulin emetimin e CO2 në përpjekje për të zvogëluar ngrohjen globale dhe në këtë aspekt po mbështetet edhe Kosova që të jetë sa më afër BE-së.

Ai tha se Zyra e KE-së është duke realizuar dy projekte të ngjashme; njërin për krijimin e procesit të auditimit të energjisë për të siguruar informata lidhur me profilin e konsumit të energjisë së një ndërtese; ndërsa tjetri për realizimin e masave për Efiçiencën e Energjisë në ndërtesat publike.

Fushata  për ngritjen e vetëdijes publike për nxitjen e Efiçiencës së Energjisë dhe Burimeve të Ripërtërishme të Energjisë mbështetet nga BE-ja dhe përfshinë publikime në media, seminare për gazetarë dhe biznese .