Kryeministri Kurti e Ministrja Rizvanolli përurojnë punimet në ndërtesat sociale në Mitrovicë, ku u investua në efiçencë të energjisë

Mitrovicë, 01.09.2025 – Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti dhe ministrja në detyrë të Ekonomisë, Artane Rizvanolli, kanë marrë pjesë në përurimin e dy ndërtesave sociale në Shipol dhe Desi të Mitrovicës, ku është investuar në rritjen e efiçencës së energjisë.

Në përurim morën pjesë edhe përfaqësuesi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Alessandro Bianciardi, nënkryetari i Komunës së Mitrovisës, Arian Tahiri dhe drejtori i Departamentit të Operacioneve i Fondit të Kosovës për Efiçiencë të Energjisë, Petrit Ahmeti.

Falë një investimi prej 381,622 euro, në këto ndërtesa është kryer izolimi i çative dhe mureve të jashtme, ndërrimi i dyerve dhe dritareve, instalimi i sistemeve të ngrohjes efikase, vendosja e interfonisë dhe implementimi i masave për mbrojtje nga zjarri.

Këto dy ndërtesa sociale, të ndërtuara në vitet 2003 dhe 2005, strehojnë 39 familje ose gjithsej 173 banorë dhe për shumë vite kanë qenë pa izolim të duhur, pa dritare efikase dhe pa sisteme adekuate të ngrohjes.

Në Shipol, ndërtesa sociale e ndërtuar në vitin 2003 do të përmirësojë kushtet e jetesës për 18 familje, përfshirë 4 familje të udhëhequra nga gra. Ndërsa në Desi, ndërtesa e vitit 2005 do t’u shërbejë 21 familjeve, mes tyre 4 të udhëhequra nga gra.

Ky projekt është pjesë e një investimi më të madh, prej mbi 6 milionë euro, që përfshin renovimin e 25 ndërtesave sociale në gjithë Kosovën. Projekti është zbatuar nga Fondi i Kosovës për Efiçiencë të Energjisë dhe është mbështetur financiarisht 90% nga Bashkimi Evropian dhe 10% pjesëmarrje komunale

Përveç ndërtesave sociale, nga ME, FKEE, BE dhe pjesëmarrjen komunale, janë renovuar edhe 9 objekte publike në Mitrovicë, me investim prej 2.3 milionë euro që përfshijnë:

4 shkolla,

1 çerdhe,

2 ambulanta në Bajgorë dhe Bare,

si dhe Qendrën e Kulturës.

Këto renovime përmirësojnë ndjeshëm kushtet e jetesës, të edukimit dhe të shërbimeve shëndetësore për mijëra qytetarë.