Kryeministri Kurti dhe Ministrja Rizvanolli vizituan ndërtesat sociale në Plemetin
Obiliq, 04.06.2025 – Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, Përfaqësuesi i Bashkimit Evropian në Kosovë, Johannes Madsen, ministri në detyrë i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi ministri në detyrë për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq dhe kryetari i komunës së Obiliqit, Xhafer Gashi kanë vizituarat ndërtesat e banimit sociale në Plemetin të Obiliqit, ku po realizohen investime për rritjen e efiçiencës së energjisë dhe përmirësimin e kushteve të jetesës për banorët në këto ndërtesa.
Në këto ndërtesa po punohet në izolimin e çative dhe mureve të jashtme, ndërrimi i dyerve edhe dritareve të vjetruara, instalimi i sistemeve të ngrohjes efikase, vendosja e interfonisë dhe implementimi i masave për mbrojtje nga zjarri. Në kuadër të mbështetjes shtesë po investohet edhe në sistemin e ujësjellësit.
Projekti implementohet nga Fondi i Kosovёs pёr Efiçiencё tё Energjisё dhe mbështetet nga Qeveria e Republikës së Kosovës, përmes grantit nga Bashkimi Evropian (me 90%), dhe pjesëmarrje të komunave përkatëse (me 10%).
Me këtë rast, kryeministri Kurti tha se një numër i madh i qytetarëve, kryesisht të komuniteteve joshumicë do të kenë kushte më të mira të jetesës pas këtyre investimeve.
“Me termoizolimin e kulmit, mureve, me ndryshimin e atmosferës së brendshme shumë më të rregullt dhe më të pastër, me ndërrimin e dritareve dhe dyerve, me fasadat e reja do të kenë kushte të dinjitetshme të gjithë banorët këtu, shumica dërmuese e të cilëve janë të komunitetit joshumicë, sidomos romë e ashkali”, ka thënë ai.
Ndërsa, ministrja Rizvanolli tha se me këto investime pritet që në njërën ndërtesë të kursehet energjia deri në 71%, teksa tek tjetra deri në 75%.
“Pas investimeve, kursimi i energjisë në fund do të jetë 71% në njërën dhe 75% në tjetrën dhe kjo do të thotë jo vetëm fatura më të ulëta, shpenzime më të ulëta por gjithashtu edhe rehati shumë e madhe për banorët dhe shpresoj që dimrin e ardhshëm si rezultat i këtyre investimeve do ta kalojmë shumë më lirë e më lehtë të gjithë këta banorë”, përfundoi ajo.
Përfaqësuesi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Madsen u shpreh i lumtur gjatë kësaj vizite për investimet që janë duke u bërë për përmirësimin e jetës së qytetarëve.
Punimet në këto ndërtesa pritet të përfundojnë në muajin gusht.
Në kuadër të reformës për efiçiencën e energjisë, Qeveria e Kosovës ka mbështetur deri tani:
- 3,000 familje me izolim të shtëpive,
- Mbi 40,000 familje me pajisje eficiente dhe panele solare,
- 125 ndërtesa publike, kryesisht shkolla dhe spitale, janë renovuar për të përmirësuar kushtet e jetesës dhe të punës për qindra mijëra qytetarë.
Këto renovime përmirësojnë ndjeshëm kushtet e jetesës, të edukimit dhe të shërbimeve shëndetësore për mijëra qytetarë.