Kryeministri Kurti dhe Ministrja Rizvanolli vizitojnë Trepçën

Prishtinë, 20.10.2021 – Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, së bashku me Ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, si dhe Zëvendësministrin e Ekonomisë, Mentor Arifaj, sot kanë vizituar Ndërmarrjen “Trepça”.

Gjatë vizitës, Kryeministri Kurti, Ministrja Rizvanolli, Zv. Ministri Arifaj, si dhe udhëheqësi i Njësisë për Monitorim të Ndërmarrjeve Publike, Besim Imeri, janë takuar me kryesuesin e Bordit të Përkohshëm si dhe udhëheqësin e Detyrës së Kryeshefit Ekzektutiv të ndërmarrjes.  
Gjatë takimit, UD i Kryeshefit Ekzekutiv ka njoftuar hollësisht përfaqësuesit e Qeverisë rreth gjendjes dhe zhvillimeve të fundit në Trepçë.

Gjatë vizitës, Kryeministri Kurti e ka cekur se Qeveria Kurti 1 ka alokuar mbi 7 milionë euro për Trepçën. Sa i përket dy viteve në vijim, Kryeministri ka cekur që Qeveria e Kosovës do t’i ndajë së paku 70 milionë euro për Trepçën, e cila është në qendër të zhvillimit ekonomik përmes Projektit të Fondit Sovran, i cili është në zhvillim e sipër.

Tutje, Kryeministri Kurti ka shprehur përkrahjen për Bordin e Përkohshëm të Trepçës të udhëhequr nga Bahri Hyseni si dhe ushtruesin e detyrës së Kryeshefit Ekzekutiv, Enis Abdurahmani dhe është zotuar se Qeveria e Republikës së Kosovës do të trajtojë çështjen e kushteve të punëtorëve në Trepçë.

Gjatë konferencës për media sa i përket dhunës së organizuar kundër UD të Drejtorit Ekzekutiv, Kryeministri Kurti ka thënë që “Si Kryeministër i Republikës së Kosovës zotohem që nuk do të ketë asnjë individ as grup më të fuqishëm se shteti. Ata të cilët si individë, ose si grupe synojnë ta dëshirojnë të jenë më të fuqishëm se shteti, ata bien ndesh me ligjin dhe kushtetuetshmërinë tek ne”.