Kryeministri Kurti dhe Ministrja Rizvanolli vizitojnë Postën e Kosovës

Prishtinë, 31.12.2025 – Kryeministri i Republikës së Kosovës në detyrë, Albin Kurti, së bashku me Ministren e Ekonomisë në detyrë, Artane Rizvanolli, kanë vizituar Postën e Kosovës, ku u njoftuan për rezultatet pozitive financiare dhe shtrirjen e shërbimeve të kësaj ndërmarrjeje publike në gjithë territorin e Kosovës.

Kryeministri Kurti dhe Ministrja Rizvanolli u priten nga kryeshefja ekzekutive e Postës së Kosovës, Nora Rraci dhe kryesuesi i Bordit të Postës, Gëzim Paci.

Me këtë rast, Kryeministri Kurti vlerësoi suksesin e ndërmarrjes publike, e cila aktualisht operon me 166 zyra postare në të gjithë vendin, prej të cilave 16 janë të shtrira në veri të Republikës së Kosovës.

Kryeministri Kurti theksoi se janë ndërprerë rrjedhjet financiare ilegale, janë shuar strukturat ilegale, nuk operon më në Kosovë as Posta e Serbisë apo kursimorja postare e Serbisë dhe dianri nuk është më mjet pagese dhe se nuk ka pasur vakum në shërbime, sepse Posta e Kosovës ka qenë e pranishme për të ofruar shërbime të plota dhe cilësore për qytetarët.

“Posta e Kosovës është shërbim publik universal, i shpejtë, i sigurt dhe i lirë, pra nuk e mat dërgesën me koston që ka, por me dobinë për qytetarët”, tha Kryeministri Kurti, duke përgëzuar menaxhmentin, Bordin e Postës dhe gjithë punonjësit për arritjet e deritanishme.

Ministrja e Ekonomisë në detyrë, Artane Rizvanolli, theksoi se është e rëndësishme që besimi i qytetarëve në Postën e Kosovës është rikthyer dhe janë dy elemente kyçe për zhvillimin dhe të ardhmen e Postës së Kosovës: rikthimi i besimit dhe qëndrueshmëria financiare.

Ajo vlerësoi se gjatë tre viteve të fundit Posta e Kosovës ka operuar me fitim dhe ka realizuar investime vetanake në vlerë prej 1.6 milionë eurosh në motoçikleta, vetura elektrike dhe furgonë.

“Në dhjetë vitet paraprake, prej themelimit si ndërmarrje e veçantë, në vitin 2012, kur është nda nga Telekomi i Kosovës, vazhdimisht Posta ka operuar me humbje deri në 4 milionë euro për vit dhe ka akumuluar mbi 24 milionë euro humbje. Ndërkaq, dy vitet e fundit Posta ka rreth 1.3 milionë euro fitim”, tha ministrja Rizvanolli.

Ndërsa, kryeshefja ekzekutive e Postës së Kosovës, Nora Rraci deklaroi se Posta ka shënuar përmirësim të ndjeshëm financiar pas më shumë se një dekade humbjesh dhe bëri të ditur se në vitin 2025 fitimi ka arritur rreth 1 milion euro.

Ajo theksoi se Posta e Kosovës ka zgjeruar rrjetin e saj të zyrave postare për rreth 30 për qind, ofron shërbime 365 ditë në vit dhe ka realizuar investime kapitale në mjete pune dhe teknologji, me qëllim rritjen e efikasitetit dhe cilësisë së shërbimeve për qytetarët.