Kryeministri Kurti dhe Ministrja Rizvanolli përurojnë investimet e efiçiencës në 4 ndërtesa sociale të renovuara në Prishtinë

Prishtinë, 15.08.2025 – Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, kanë përuruar punimet në 4 ndërtesa shumë-banesore sociale në Prishtinë, ku jetojnë 200 familje, mes tyre 100 familje të dëshmorëve e veteranëve të luftës së UÇK-së dhe 16 familje që udhëheqin nga gra kryefamiljare.

Në ceremoni, për veç Kryeministrit Kurti dhe Ministres Rizvanolli, kanë marrë pjesë edhe përfaqësuesi i Bashkimit Evropian në Kosovë, Alessandro Bianciardi, drejtori menaxhues i Fondit të Kosovës për Efiçiencë të Energjisë, Driton Hetemi dhe përfaqësuesi i Komunës së Prishtinës, Gëzim Kastrati.

Përurimi i punimeve është realizuar në kuadër të projektit “Zbatimi i masave të efiçiencës së energjisë për ndërtesat shumë-banesore sociale”, ku me një investim prej 1.24 milionë euro vetëm në Prishtinë, janë realizuar punimet që përfshijnë izolimin e jashtëm, ndërrimin e dritareve dhe dyerve, termoizolimin e kulmeve, instalimin e sistemit të ri të ngrohjes, vendosjen e interfonisë dhe masa mbrojtëse kundër zjarrit.

Projekti implementohet nga Fondi i Kosovës për Efiçiencё tё Energjisë dhe mbështetet nga Qeveria e Republikës së Kosovës, përmes përkrahjes financiare nga Bashkimi Evropian (me 90%) dhe pjesëmarrjen e komunës me 10%.

Kryeministri Kurti tha se në mesin e katër ndërtesave sociale që janë rinovuar dhe bëmë inaugurimin sot, kanë përfituar 200 familje me gjithsej 790 banorë, nga një investim prej 1.24 milionë eurosh.

“Pas përfundimit të këtyre renovimeve, banorët sivjet do të kenë dimra më të ngrohtë dhe më të sigurt. Investimi i përgjithshëm është 1.24 milion euro, 90% nga BE-ja. Renovimi përfshin izolimin e kulmeve dhe mureve, ndërrimin e dyerve dhe dritareve, si dhe vendosjen e sistemeve të reja të ngrohjes dhe masave të sigurisë. Ky projekt është pjesë e një programi më të gjerë prej 6 milionë euro për 28 ndërtesa sociale në 13 komuna, që përfshin 889 familje”, tha Kurti.

Ndërsa, ministrja Rizvanolli theksoi se sa i përket financimit të projekteve të ngjashme në të ardhmen, si qeveri janë duke punuar me Fondin e Kosovës për Efi֛çiencë të Energjisë, duke qenë se tash më Fondi ka përvojën e zbatimit të projekteve, synojnë që projekti të zgjerohet edhe në banesa të tjera.

“Jemi shumë të lumtur që në vijim i kemi edhe dy projekte, njëri tani veç është nënshkruar për renovimin e 400 ndërtesave publike dhe pret miratimin nga Kuvendi sapo të konstituohet, ndërsa për sektorin rezidencial, pra për sektorin e banimit, Fondi në bashkëpunim me ne dhe të gjithë partnerët, jemi duke bërë dizajnimin e skemave dhe pastaj të vazhdojmë me financime të projekteve”, tha Rizvanolli.

Kurse, Alessandro Bianciardi nga Zyra e BE-së në Kosovë, theksoi se Bashkimi Evropian do të vazhdojë ta përkrah Kosovën në investime në efiçiecë të energjisë, që sjellin kushte më ët mira për banorët.

“Jam i lumtur që paketa e mbështetjes energjetike po mundëson një investim kaq të rëndësishëm për përfitimin e qytetarëve, duke avancuar njëkohësisht tranzicionin energjetik të Kosovës”, tha ai.

Në kuadër të reformës për efiçiencën e energjisë, përveç ndërtesave sociale, Qeveria e Kosovës ka mbështetur në Prishtinë renovimin edhe të 15 ndërtesave publike, prej tyre spitale e universitete me investim prej rreth 4 milionë euro. Ndërsa, me përkrahjen e Bashkimit Evropian, janë subvencionuar 425 familje me mbi 1.5 milionë euro për izolimin e shtëpive të tyre.