Kryeministri Kurti dhe Ministrja Rizvanolli e vizitojnë Postën e Kosovës
Prishtinë, 07.11.2023 – Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti dhe Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, sot e kanë vizituar Postën e Kosovës, ku janë pritur nga kryeshefja ekzekutive e kësaj ndërmarrje, Nora Rraci dhe anëtarët e Bordit Drejtues.
Gjatë takimit u vlerësua se Posta e Kosovës është duke siguruar shërbim postar në çdo lagje të madhe dhe çdo fshat të madh, për të siguruar lehtësi të shërbimit dhe po e zgjeron rrjetin e zyrave postare edhe në veri të vendit.
Kryeministri Albin Kurti theksoi se Qeveria e Kosovës siguron shërbimin postar për të gjithë qytetarët, duke kompensuar shërbimin universal postar në përputhje me Ligjin për Shërbime Postare dhe Rregulloret, dhe se Posta është një partner i Qeverisë në shërbimin “One Stop Shop”, që lejon qytetarët të kryejnë shërbimet e tyre në qendrat e Postës për disa institucione pa pasur nevojë të shkojnë drejtpërdrejt te to.
Po ashtu, Kryeministri Kurti dhe Ministrja Rizvanolli vlerësuan se në platformën eKosova po integrohen të gjitha shërbimet postare, duke filluar deklarimin e adresës postare, që do t’i jep shtytje të madhe cilësisë së shërbimit.
Ministrja Rizvanolli theksoi mbështetjen që i është dhënë Postës së Kosovës dhe theksoi se kjo përkrahje do të vazhdojë edhe më tej, në mënyrë që shërbimet postare të jenë afër çdo qytetari të Republikës së Kosovës.
Kryeshefja ekzekutive dhe Bordi Mbikëqyrës kanë përmendur të arriturat që ka shënuar Posta e Kosovës, si pasurimi i flotës me motoçikleta elektrike, të cilat ua mundësojnë shpërndarjen sa më të shpejtë të dërgesave postare tek qytetarët dhe po ashtu ofrojnë një transport të pastër ekologjik, promovimin që i bëhet vlerave të Kosovës përmes pullave postare dhe të arritura tjera.