Krijohet grup punues për problemin e furnizimit me ujë
Prishtinë, 21.01.2014 – Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Fadil Ismajli ka zhvilluar sot një takim me kryetarin e Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti me të cilin ka diskutuar për furnizimin me ujë dhe për çështjet tjera që mbulohen nga MZHE dhe Komuna e Prishtinës.
Kreu i MZHE-së dhe ai i Prishtinës janë pajtuar për formimin e një grupi punues që do të merret me situatën e krijuar si pasojë e mungesës së furnizimit me ujë, pjesë e të cilit do të jenë përfaqësues të MZHE-së, Komunës së Prishtinës, Ibër Lepenci, KRU “Prishtina” dhe akterë tjerë të involvuar në këtë çështje.
Ministri Ismajli informoi kryetarin Ahmeti për masat e deritashme që janë ndërmarrë sa i përket furnizimit me ujë, informata shtesë që nevojiten për skenarët e mundshëm për tejkalimin e kësaj situate.
Në takimin që u mbajt në Komunën e Prishtinës u theksua nevoja e bashkëpunimit mes dy institucioneve për sa i përket ujësjellësit, energjisë elektrike, ngrohjes etj.
Kreu i MZHE-së dhe ai i Prishtinës kanë shprehur gatishmërinë e tyre për bashkëpunim të institucioneve qendrore dhe lokale, me qëllim të përmirësimit të shërbimeve për qytetarët.

