Krijimi i mjedisit të besueshëm online – parakusht i zhvillimit të ekonomisë dixhitale

Prishtinë, 24.05.2018 – Komitetit Drejtues për zbatimin e Strategjisë së Kosovës për Teknologji të Informacionit ka mbajtur takimin e radhës ku janë diskutuar aktivitet që ndikojnë në përshpejtimin  e zhvillimit të Sektorit të Teknologjisë së Informacionit në Kosovë, veçanërisht rritjen e eksportit të shërbimeve në fushën e Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimeve (TIK).

“Ministria e Zhvillimit Ekonomik ka mision të saj zhvillimin ekonomik të Kosovës, dhe një prej komponentëve më ndikuese në rritjen ekonomike ne vlerësojmë se është edhe zhvillimi adekuat i forcës së re punuese në sektorin e TI-së”, ka deklaruar Ministri Valdrin Lluka.
Masat në të cilat bazohet zhvillimi i TI-së në Kosovë janë të shprehura edhe në Strategjinë e TI-së, respektivisht në (9) shtyllat e saj, apo si të ri-grupuara, në:

•    Politikat promovuese, eksportuese dhe të investimeve për TI;
•    Zhvillimi i tregut të brendshëm, si dhe bashkëpunimi në mes të ndërmarrjeve të TI-së;
•    Ngritja e niveli të ndërmarrësisë, si dhe kualitetit të punës në ndërmarrjet e TI-së;
•    Edukimi, Inovacioni dhe zhvillimi i kapaciteteve për Hulumtim dhe Zhvillim në TI;

Sipas tij, kjo Strategji ka adresuar çështje të rëndësishme dhe detyrime të qarta për të gjitha palët në proces, në mënyrë që potenciali i Kosovës në ofrimin e shërbimeve të TI-së përtej kufijve të Kosovës të ndikoj në “Transformimin Dixhital” të domosdoshëm për popullatën tonë të re.

Ministri Lluka shtoi se  Strategjia e TI-së duhet konsideruar si një dokument dinamik (jo statik), i hartuar sipas metodave agjile (Agile Methodologies) dhe rrjedhimisht mund të rishikohet sipas nevojës, kurdo që të vlerësohet si e nevojshme nga ju të gjithë.

Në këtë drejtim MZHE në bashkëpunim edhe me palë tjera të interesit dhe me partnerët mbështetës financiar ka përgatitur Programin për Zbatimin e Ekonomisë Dixhitale – Programin KODE i përgatitur me mbështetjen nga Banka Botërore (BB) me një kredi nga BB në vlerë prej $ 25 mil.

Si aktivitete paraprijëse të Programit KODE, MZHE në bashkëpunim me donatorët (Banka Botërore, USAID-it, dhe Swiss-EYE të Helvetas Swiss Intercooperation), ka realizuar gjatë dy viteve të kaluara disa pilot-projekte që kanë pasur për qëllim trajnimin e grave për punët online (Women in Online Work). Përmes katër piloteve janë trajnuar për shkathtësi të buta dhe teknike më shumë se 400 gra.

“Mund të konstatojmë se projekti WOW ka dëshmuar që TIK është industri unike për shfrytëzimin e potencialit të të rinjëve për krijim të vendeve të reja të punës në Kosovë”, tha Lluka.

Gjithashtu, MZHE ka marrë aprovimin nga Komisioni Evropian për financim nga fondet e IPA-s disa projekte si; projekti “Rritja e konkurrueshmërisë së ekonomisë dixhitale të Kosovës”, project – propozimet; “Rritjen e efikasitetit dhe futjen e teknologjive të reja të TIK në sektorin privat të Kosovës”, “Mbështetjen e TIK për Bizneset e Vogla të Kosovës, Sistemi kombëtar për eID (Identifikimin Elektronik)”, që kanë për qëllim forcimin e kapitalit njerëzor, mbështetjen e bizneseve dixhitale dhe ndikimin në ngritjen e nivelit arsimor të popullsisë, duke  zgjeruar mundësitë e punëve dixhitale, me fokus të veçantë tek të rinjtë, gratë dhe njerëzit me nevoja të veçanta.

“Me qëllim të krijimit të mjedisit të përshtatshëm rregullator/legjislativ, Qeveria e Kosovës ka hequr tarifat doganore për pajisjet e TI-së për ndërmarrjet dhe për qytetarët. Nxitja e angazhimit në këtë fushë, do të ndikojë në krijim të vendeve të reja të punës, sidomos për ndërmarrjet e reja dhe për të rinjtë, që kanë për qëllim të eksportimit të shërbimeve”, tha i pari i MZHE-së.

Ministri Lluka bëri të ditur se MZHE ka filluar me procesin e hartimit të Ligjit për Identifikimin Elektronik dhe Shërbimet e Besueshme në Lidhje me Transaksionet Elektronike (transpozim i eIDAS Regulation), i cili ka për qëllim krijimin e kornizës ligjore për identifikimin elektronik të sigurt, vulat elektronike, shërbimin e transmetimit elektronik dhe autentifikimin e faqeve të internetit në Republikën e Kosovës, përmes të cilit synohet rritja e sigurisë për transaksionet elektronike, bashkëveprim i sigurt elektronik midis qytetarëve, bizneseve dhe autoriteteve publike, duke rritur efektivitetin e shërbimeve on-line publike dhe private dhe të tregtisë elektronike në Republikën e Kosovës”.

Ndryshe, si aktivitet të rëndësishëm, Ministria e Zhvillimit Ekonomik ka të planifikuar që, në kuadër të Buxhetit të Kosovës për vitin 2018, financimin dhe funksionalizimin e Parkut Dixhital të Teknologjisë në Bërnicë, i cili është duke u bërë në bashkëpunim të ngushtë me sektorin privat, respektivisht me Shoqatën e Teknologjisë së Informacionit e Komunikimit të Kosovës (STIKK).

Mesazhi kyç i Ministrit të Zhvillimit Ekonomik Valdrin Lluka: “për të gjithë përkrahësit dhe zbatuesit e aktiviteteve konkrete të fushës së TIK, edhe komunitetit të donatorëve, se në përpjekjet tona të përbashkëta për zhvillim të TIK-ut në Kosovë, MZHE do të jetë prijatare, garantuese dhe përkrahësja kryesore e të gjitha aktiviteteve, marrëveshjeve, aranzhmaneve dhe partneriteteve që do të bëhen në mes të Qeverisë, Sektorit tonë Privat dhe Partnerëve tonë Ndërkombëtar”.