KQP: Shtyhet afati i nënshkrimit të kontratës për privatizimin e 75 % të aksioneve të PTK-së
Prishtinë, 13.08.2013 – Komisioni Qeveritar për Privatizimin e PTK-së është takuar sot dhe ka analizuar rrjedhen aktuale të projektit dhe hapat që do të ndërmerren në vijim në lidhje me privatizimin e 75% të aksioneve të PTK-së.
Siç është njoftuar opinioni publik më herët, sot ka qenë data e paraparë për nënshkrim të marrëveshjes për privatizimin e PTK-së. Megjithatë,me kërkesë të konsorciumit të kompanive të shpallura ekonomikisht më të favorshme për privatizimin e PTK-së nënshkrimi i kontratës shtyhet për më së voni, datën 30 shtator 2013.
Ky vendim i KQP-së, vlen me kushtin që konsorciumi i përzgjedhur të prezantoj garancitë dhe kushtet tjera të kërkuara me dokumentet e transaksionit.
KQP e njofton opinionin publik se shtyrja ka ardhur si rezultat i refuzimit nga ana e KQP-së të kërkesave shtesë të këtij konsorciumi në lidhje me procesin e privatizimit,e të cilat nuk kanë qenë pjesë e pakos tenderuese.
Kjo shtyrje është miratuar vetëm pasi që KQP është siguruar që konsorciumi në fjalë do të nënshkruaj marrëveshjen e shitblerjes së aksioneve në formën dhe përmbajtjen e paraparë me dokumentet e tenderit.
KQP e ka trajtuar me seriozitetin më të lartë këtë proces si dhe konsorciumin e shpallur fitues dhe konfirmon edhe një here se një qasje e tillë do të vazhdoj deri në përmbyllje të procesit. Është me rëndësi të vihet në pah, se në këtë proces që nga fillimi janë zbatuar plotësisht ligjet e Kosovës dhe standardet më të larta ndërkombëtare dhe se Komisioni Qeveritar për Privatizimin e PTK-së do të vazhdoj të marrë vendime që janë në interes të qytetarëve të Kosovës.
Konsiderojmë se duke marrë parasysh kompleksitetin dhe rëndësinë e këtij transaksioni dhënia e një afati shtesë për nënshkrim të kontratës për konsorciumin e kompanive të shpallura fituese është në interesin më të lartë të Kosovës.
Njëkohësisht, KQP falënderon sinqerisht trupën diplomatike të Akredituar në Prishtinë për ndihmën e dhënë gjatë këtij procesi shumë të rëndësishëm për vendin.