KQP ka siguruar mbrojtjen maksimale të drejtave të punëtorëve të PTK-së
Prishtinë, 14.03.2013 – Komisioni Qeveritar për Privatizimin e PTK dhe Ministria e Zhvillimit Ekonomik, si pjesë e këtij komisioni, kanë ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme ligjore për të mbrojtur të drejtat e punëtorëve të telefonisë fikse dhe asaj mobile, e cila është në përfundim të procesit të privatizimit të 75 për qind të aksioneve.
Siç është e njohur me dokumentet e tenderit, të cilat në asnjë mënyrë nuk mund të ndryshohen nga kompania fituese, punëtorëve iu janë siguruar kontratat për periudhën trevjeçare për kontratat aktuale me afat të caktuar, ndërsa për kontratat tjera vlejnë dispozitat e ligjit të punës.
Pas kalimit të këtij afati punëtorët e PTK-së të drejtat e veta do të vazhdojnë t’i realizojnë konform legjislacionit në fuqi.
KQP, në përbërje të pesë ministrave dhe vëzhguesve vendorë dhe ndërkombëtarë ka siguruar respektimin e plotë të ligjeve dhe vendimeve të Kuvendit dhe Qeverisë të Republikës së Kosovës, duke siguruar transparencë të plotë sipas standardeve më të larta ndërkombëtare dhe duke u angazhuar maksimalisht që i tërë procesi të përmbyllet duke siguruar kushte më të mira për zhvillimin e kësaj kompanie me qëllim të sigurimit të shërbimeve sa më kualitative për qytetarët e Republikës së Kosovës.