KQP ka realizuar të gjitha kërkesat e Sindikatës të Elektrokosovës
Prishtinë, 23.05.2012 – Përfaqësuesit e Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik kanë shprehur gatishmërinë që të pranojnë në biseda përfaqësuesit e Sindikatës së Pavarur të Energjetikës së Kosovës, të cilët protestuan para hyrjes së Ministrisë.
Kjo gatishmëri iu është përcjell organizatorëve të protestës, të cilët nuk kanë pranuar të takohen me përfaqësuesit e Komitetit Qeveritar për Privatizimin e KEDS-it dhe MZHE-së.
Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Besim Beqaj dhe stafi i Ministrisë gjithnjë deri më tash iu janë përgjigjur kërkesave për takime dhe në ketë drejtim kanë pasur disa takime me kryetarin dhe anëtarët e Kryesisë gjegjësisht kryetarët e Federatës së Sindikatave të Pavarura të Elektrokosovës nëpër distrikte.
Në këto takime është folur për të gjitha shqetësimet e përfaqësuesve sindikal dhe iu janë dhënë garancione se në projektin e privatizimit të KEDS-it dhe projektit Kosova e Re do të sigurohen vendet e punës për tri vjet, jo vetëm për punëtorët të cilët kanë kontrata pune me kohë të pacaktuar por edhe me kontrata të përkohshme pune, e që paraqesin 60 për qind të numrit të punësuarve në KEDS.
Këto angazhime të Qeverisë, Komitetit Qeveritar të Privatizimit dhe MZHE-së përfaqësuesit e FSPE-së i kanë përshëndetur dhe kanë shprehur falënderim për ketë angazhim.
Përfaqësuesit e KQP dhe MZHE-së kanë analizuar të gjitha kërkesat e SPEK-ut dhe kanë vlerësuar se shumica prej tyre nuk janë kompetencë e MZHE-së, andaj varësisht prej kërkesave duhet tu drejtohen institucioneve kompetente të vendit dhe Bordit të Drejtorëve dhe Menaxhmentit të KEK-ut.
Përndryshe, sikurse edhe deri më tash ministri Beqaj është i gatshëm që të takohet dhe të bisedoj më përfaqësuesit e sindikatës mbi të gjitha për shqetësimet e mundshme të tyre që janë pjesë e kompetencave të MZHE-së dhe KQP, por duke kërkuar që në tërë procesin të sigurohet respektimi maksimal vendimeve të Kuvendit dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe ligjeve në fuqi.

