Kosova vend i sigurt për investimet e jashtme

Prishtinë, 26.06.2015 – Zëvendësministrja e Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik (MZHE), Besa Zogaj-Gashi, ka pritur sot në një takim kryetarin e Odës Tregtare Indo-Kosovare, Anil Mishra, të cilën e ka njoftuar atë me orientimet e MZHE-së me fokus sektorët që mbulon kjo ministri, si energjia, minierat dhe teknologjia informative.

“Republika e Kosovës është vend i sigurt për të investuar për të gjithë ata që janë të interesuar për investime, e ka të rregulluar infrastrukturën ligjore për investime, e po ashtu ka potenciale të shumta që mund të jenë profitabile për investitorin dhe për vendin tonë, andaj jemi të hapur dhe iu mirëpresim për çdo bashkëpunim”, tha zv.ministrja Zogaj –Gashi.

Nga ana e tij, Anil Mishra, kryetar i Odës Tregtare Indo-Kosovare e njoftoi zv.ministren Zogaj-Gashi për interesimin e afaristëve nga India për investime, në fushën e Teknologjisë Informative, burimet e  ripëtëritshme dhe E-Qeverisje.

Zëvendësministrja Besa Zogaj-Gashi në fund u shpreh e gatshme për bashkëpunim në të ardhmen me investitorët e interesuar të investojnë në Kosovë, për çka edhe e falënderoi kryetarin e Odës Indo –Kosovare për gatishmërinë e treguar.