Kosova synon standardet ndërkombëtare të menaxhimit të mbeturinave

Prishtinë, 24.09.2013 – Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Fadil Ismajli ka pritur në një takim pune përfaqësues të KPMG, REDISA dhe Kusaga, organizata ndërkombëtare që merren me sektorin e menaxhimit të mbeturinave dhe riciklimin e tyre.

Gjatë takimit, ministri Ismajli ka njoftuar ata me zhvillimet në vend, e posaçërisht në sektorin e menaxhimit të mbeturinave dhe interesimin e Qeverisë së Kosovës për zhvillimin e këtij sektori me rëndësi për mbrojtjen e mjedisit, konform standardeve ndërkombëtare.

Nga ana e tyre, përfaqësuesit e organizatave në fjalë kanë prezantuar profilin dhe përvojën e tyre në menaxhimin e mbeturinave, ndërsa kanë shprehur gatishmërinë që atë ta bartin edhe në Republikën e Kosovës, e veçanërisht në hartimin e kornizës ligjore.

KPMG, REDISA dhe Kusaga janë të njohura për përvojën dhe ekspertizën e tyre në menaxhimin e mbetjeve industriale siç janë ato mjekësore, gomave të vjetra, mbetjeve minerare etj.