Kosova promovon kapacitetet ekonomike para investitorëve francezë

Paris, 23.05 2012 – Ambasada e Republikës së Kosovës në Francë në partneritet me Agjencinë franceze për zhvillimin ndërkombëtar të kompanive (UBIFRANCE), ka organizuar sot në Paris konferencën për promovimin e mundësive të investimeve në Kosovë me temën:”Biznes dhe investime në Kosovë”.

Konferenca e zhvilluar nën patronazhin e kryeministrit Hashim Thaçi, është iniciuar nga Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës në bashkëpunim me Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik, të Tregtisë dhe Industrisë dhe të Financave.

Në Konferencë kanë marrë pjesë mbi 60 përfaqësues biznesesh të mesme dhe të mëdha në Francë, përfaqësues të asociacioneve ekonomike franceze si dhe përfaqësues të institucioneve të Francës dhe stafeve diplomatike të shteteve të huaja në Paris.

Ambasadori i Republikës së Kosovës në Francë, Muhamedin Kullashi, në hapje të Konferencës, para të pranishmëve ka thënë se Kosova me potencialin e saj ofron mundësi të mëdha të investimeve franceze dhe evropiane.

Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Mimoza Kusari-Lila, në fjalën e saj ka theksuar përparësitë dhe mundësitë e mëdha ekonomike të Kosovës, ku kompanitë evropiane mund të investojnë me sukses.

Ajo ka folur për procesin e reformave të thella strukturore që po ndërmerr Kosova me qëllim që të bëhet partner i fuqishëm për investitorët e jashtëm.

“Kosova është vend që ofron shumë mundësi për investime. Ajo ka një pozicion të mirë strategjik, është shteti me koston më të ulët në Eurozonë, ka popullsinë më të re në Evropë dhe ka taksa të ulëta. Sistemi bankar është stabil dhe privatizimi i ndërmarrjeve publike po vazhdon. Sot, Kosova ka më shumë se 3500 kompani të huaja dhe me pronësi të përzier që tashmë kanë investuar mbi 1.5 miliardë euro”, tha Kusari-Lila.

Zëvendëskryeministrja, më pas ka prezantuar me detaje reformat e gjera që po ndërmerren nga Qeveria e Kosovës për të eliminuar barrierat dhe për nxitjen e zhvillimit të sektorit privat, duke theksuar se me reformat që po ndërmerren, Kosova sot është një vend shumë i përshtatshëm për investime nga jashtë.

Ndërsa, ministri i Zhvillimit Ekonomik, Besim Beqaj, para të pranishmëve ka prezantuar proceset zhvillimore ekonomike të deritashme, reformat e fuqishme që po ndërmerren si dhe perspektivat e zhvillimit dhe bashkëpunimit ekonomik të Kosovës me partnerët.

Beqaj në fjalën e tij para të pranishmëve tha se gjeneruesi kryesor i rritjes ekonomike në Kosovë është biznesi privat dhe se reformat që po ndërmerren nga Qeveria e Kosovës kanë për qëllim që të forcojnë sa më shumë sektorin privat.

Ai bëri të ditur se përmes reformave strukturore dhe hyrjes së kapitalit privat në sektorët kyç të ekonomisë së Kosovës, Kosova do të sigurojë një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik. “Jemi të interesuar që përmes reformës të eliminojmë barrierat për hyrje në biznes dhe të krijomë mundësitë që biznesi privat të jetë bartës kryesor i rritjes ekonomike”, tha Beqaj.

Ai ka bërë prezantimin e sektorëve kyç të ekonomisë së Kosovës, telekomunikacionin, energjinë dhe minierat, si dhe shërbimet publike, duke theksuar ndër të tjera se këta sektorë paraqesin mundësi të mëdha për investimeve, ku mund të angazhohet kapitali privat i kompanive nga Franca dhe partnerët e tjerë afatgjatë evropianë.

Beqaj po ashtu tha se përmes hyrjes në tregun e Kosovës, kompanitë e mëdha franceze, evropiane dhe më gjerë, hyjnë realisht në tregun e tërë Evropës Juglindore.

Drejtori i UBIFRANCE për Evropën Juglindore, Michel Bauza, në prezantimin e tij para të pranishmëve tha se Kosova është një vend që ofron shumë mundësi për bizneset franceze të cilat do të kenë mbështetjen edhe  nga UBIFRANCE, por edhe nga sigurimet e tjera financiare franceze si OSEO dhe COFAS.

Konferenca për promovimin e mundësive të investimeve në Kosovë e cila po zhvillohet në Paris, po vazhdon punimet me diskutime në disa formate, ku po marrin pjesë zyrtarët e lartë të Qeverisë së Kosovës, përfaqësuesit e asociacioneve ekonomike dhe  përfaqësuesit e shumtë të bizneseve franceze dhe evropiane, të interesuar që të investojnë në fusha të ndryshme të ekonomisë kosovare.

Në Konferencë nga një prezantim të mundësive investuese në Kosovë e kanë bërë edhe drejtori i Agjencisë për Promovimin e Investimeve në Kosovë (APIK), Valdrin Lluka si dhe Lorik Fejzullahu nga Njësia për Partneritet Publik-Privat.

Organizimi në Paris i Konferencës për Investime në Kosovë, është aktivitet në kuadër të diplomacisë ekonomike të Ministrisë së Punëve të Jashtme, me qëllim të rritjes së investimeve të huaja në Kosovë.

Konferenca të këtij formati parashihet të organizohen edhe në shumë shtete të Bashkimit Evropian, në SHBA dhe në shtete të tjera të botës.